Tunizia ndali Portugalinë (VIDEO)

Portugalia dhe Tunizia kanë barazuar 2:2 në miqësoren e parë të zhvilluar në prag të përgatitjeve përfundimtare para fillimit të Kampionatit Botëror në Rusi, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja u zhvillua në “Munisipal” në Braga, ku vendasit edhe pse pa shërbimet e Kristiano Ronaldos falë golave të shënuar nga Andre Silva (22’) dhe Zhoao  Mario (34’) avansuan me rezultatin 2:0.

Kombëtarja e Tunizit në minutën e 39-të arriti që të ngushtojë diferencën e “luzitanëve” falë golit të shënuar nga Badri, i cili përfitoi nga një kundërzbritje e shpejtë, duke shënuar golin e parë në rrjetën e Lopez.

Në minutën e 62-të Portugalia shënoi me anë të Uiliam Karvaljos, mirëpo goli i tij u anulua për shkak pozitës jashtë loje, ndërsa nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas Tunizia me anë të Ben Jusef barazoi shifrat në 2:2, që njëherit doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi.

Portugalia deri para fillimit të Kampionatit Botëror në Rusi do të zhvillojë edhe dy miqësore, edhe atë kundër Belgjikës me 2 qershor dhe Algjerisë me 7 qershor, teksa Tunizia në anën tjetër fillimisht në Zvicër me 1 qershor do të përballet me Turqinë, teksa 8 ditë më vonë do të mas forcat me Spanjën.

Leave a Reply