Shkëndija futet në garë me FC Shkupin për nigerianin e Skënderbeut, Xhejms

Pas FC Shkupit, është edhe Shkëndija që dëshiron të përfitojë nga situata te skuadra korçare e Skënderbeut, për të marrë ndonjërin nga futbollistët e kësaj skuadre, që me shumë gjasa edhe përkundër faktit se u shpall kampion në Shqipëri, nuk do të mund të luaj në arenën ndërkombëtare për shkak dënimit prej 10 viteve nga ana e UEFA-s. Siç mëson “infOSport.mk” përveç Shkupit që interesohet për nigerianin Xhejms Adeni, është edhe Shkëndija skuadra që i ka vënë syrin këtij super sulmuesi, i cili sezonin e fundit me Skënderbeun në 32 ndeshje kampionale realizoi 10 gola.

Ka qenë vetë trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, që kishte ndjekur nga afër sulmuesin nigerian në ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë kundër Laçit në “Elbasan Arena”.

Mbetet të shihet se cilat kanë qenë përshtypjet e Osmanit lidhur me Xhejms, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që në regjistrin e tij, trajneri kampion i Shkëndijës të ketë shënuar edhe ndonjë emër tjetër.

Leave a Reply