Alimi: Duam fitore pa gol të pranuar

Shkëndija të martën në mbrëmje në arenën “Filipi i Dytë” nis aventurën e re europiane, mirëpo kësaj rradhe me ndeshjet eliminatore në kuadër të Ligës më prestigjioze europiane, Ligës së Kampionëve Europian. Me këtë rast skuadra tetovare si gjithnjë një ditë para ndeshjes organizoi konferencë për shtyp me gazetarët, ku përveç trajnerit Qatip Osmani, foli edhe tashmë kapiteni i ri i Shkëndijës, Armend Alimi.

Mesfushori kumanovar i “kuqezinjëve” beson fuqimisht te fitorja, ndërsa dëshira e tij është që ajo të arrihet pa pranuar gol.

“Jemi të gatshëm për ndeshjet me The Nju Seints. Kemi punuar mjaft mirë gjatë fazës së përgatitjeve në Slloveni dhe besojmë në suksesin tonë. Kemi marrë informacione për kundërshtarin, i cili luan një futboll tipi anglez, mirëpo neve nuk na intereson edhe aq shumë loja e tyre, pasi jemi të fokusuar në lojën tonë. Nëse luajmë mirë dhe sipas udhëzimeve të trajnerit besoj se do gëzohemi në fund. Dëshirojmë fitore pa pranuar gol dhe me epërsi të presim ndeshjen e kthimit në Uells” – tha Alimi.

Ndeshja e nesërme ndaj TNS për Alimin do të jetë e para që do të mbajë shiritin e kapitenit që nga fillimi në një ndeshje ndërkombëtare.

Ndeshja Shkëndija-The Nju Seints zhvillohet në arenën “Filipi i Dytë” dhe e njëjta starton në ora 20:15.

Leave a Reply