Gledi Mici fiton zemrat e publikut tetovar (VIDEO)

Shkëndija e Tetovës me ekip të kombinuar me futbollist të rinj ishte dominante dhe superiore ndaj Bellasicës së Strumicës në ndeshjen e xhiros së tretë në kampionat, duke marrë kështu fitoren e parë në sezonin e ri me rezultat bindës 4:1.

Përveç Izair Eminit që shënoi 3 gola, brazilianit Zhunior që realizoi golin tjetër dhe që kishte përformansë të shkëlqyer në terrën me mesfushorët tjerë si Totre, Bojku e Imeri, në këtë ndeshje spikati edhe mbrojtësi i majtë i ardhur këtë verë te Shkëndija, Gledi Mici.

27 vjeçari ishte në nivelin e detyrës në mbrojtje, ndërsa ndihmoi edhe shumë skuadrën në aksione të ndryshme, duke dhuruar edhe asist në golin e tretë të “kuqezinjëve” që e realizoi Izair Emini me kokë.

Performansa e mirë e futbollistit nga Tirana nuk u la pa u vërejtur edhe nga publiku vendas, të cilët ovacione dhe duartrokitje sillnin çdo herë që Mici prekte topin. Kjo ka lënë të kënaqur edhe vet lojtarin, që pas ndeshjes foli edhe para gazetarëve.

“Jam mjaftë i kënaqur, por jam në këmbë në tokë, pasi kjo nuk është asgjë, pasi duhet akoma shumë punë që të arrijmë objektivat që kemi”, shprehet Mici pas ndeshjes.

“Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim patjetër, pasi vinim nga dy barazime dhe pikët në kampionat në qoftë se nuk merren, na kushtojnë rëndë, kështu që i detyroheshim publikut tonë një fitore dhe jam shumë i lumtur që arritëm të fitojmë”, tha 27 vjeçari.

Mbrojtësi kuqezi foli edhe për ndeshjen që i pret të enjten ndaj Rosenborgut.

“Futbolli është i bukur dhe i paparishikueshëm. Ata janë një skuadër e fortë, por ne kemi shpresa për të kaluar më tej, do japim gjithçka dhe me pak fat mund të kalojmë”, përfundon Mici.

Leave a Reply