Junajtedi dhe Murinjo kërkojnë fitore ndaj Bërnlit

Mançester Junajtedi gjatë ditës së sotme do të zhvillojë ndeshjen e javës së katërt të kampionatit anglez, ku për kundërshtarë do të ketë skuadrën e Bërnlit. Trajneri Hoze Murinjo, i cili po përflitet për një shkarkim të mundshëm nga “Djajtë e Kuq”, shpreson të marri tri pikët në fushën e Bërnlit, që do t’i jepnin pak frymëmarrje atij dhe vetë futbollistëve.

Junajtedi nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, ku kanë humbur dy nga tri ndeshjet e para në Premierligë. Kjo gjë nuk ndodhte që nga sezoni 1992/93. Duke parë se e ardhmja e trajnerit të tyre është në rrezik dhe me synimin për të ruajtur hapin me kryesuesit e kampionatit, Pogba me shokë do të duan të marrin patjetër 3 pikët.

Dy disfatat e këtij sezoni kanë ardhur pas disa gabimeve të pafalshme në mbrojtje. Për më tepër, ata kanë fituar vetëm 3 nga tetë ndeshjet e fundit të kampionatit (3 fitore, 1 barazim, 4 humbje), duke mos shënuar asnjë gol në katër prej tyre.

Ndërkohë, në nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit që Bërnli ka luajtur në shtëpi, në kampionat, janë realizuar më pak se 2.5 gola për ndeshje. Junajtedi, nga ana tjetër, nuk ka fituar asnjë nga tri transfertat e fundit në Premierligë, (1 barazim, 2 humbje).

Leave a Reply