Panuçi: Respekt për Skocinë, por ne kemi ardhur për fitore!

Christian Panucci kërkon fitoren e dytë radhazi në Nations League në krye të Shqipërisë kundër Skocisë në “Hampden Park”, një stadium ku ruan një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij. Trajneri italian i kuqezinjve shpjegoi në konferencën për shtyp se përse e kishte grumbulluar Kaçen, duke paralajmëruar edhe ndryshime në formacion.

A e keni vendosur formacionin dhe sa ndryshime do të ketë krahasuar me ndeshjen me Izraelin?

Mendimet i kam patur këto ditë, sepse luaj një ndeshje në tre ditë. Do të ndryshojë diçka për një lojë të mirë. Shpresoj të bëjmë zgjedhjet e duhura.

Do të jetë Agolli në fushë?

Ai është kapiten, sepse ka më shumë ndeshje se të gjithë. Nesër do të shohim nëse do të luajë. Ai ka punuar shumë mirë.

Në Skoci do të kënaqeshit vetëm për një barazim?

Kemi ardhur në Glasgow për të bërë më të mirën dhe për për të kërkuar fitoren. I dimë të metat dhe përparësitë tona pozitive. Do të luajmë ndaj një skuadre të plagosur në një ambient të vështirë, që ka humbur 4-0 me Belgjikën. Do të bëjmë më të mirën për të marrë fitoren. Do ta tentojmë. Pas ndeshjes do të flasim nëse do të jemi të kënaqur me një pikë.

Herën e fundit që keni qenë këtu keni shënuar golit fitues me Italinë…

Ka qenë një nga ditët më të bukura të karrierës sime, kam shënuar, por tani jam trajner i Shqipërisë. Të luash kundër Skocisë nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos pas humbjes me Belgjikën. Krenaria skocezëve duhet respektuar. Do të tentojnë të kthejnë situatën në favorin e tyre.

A do të ndryshojë qasja e skuadrës krahasuar me ndeshjen me Izraelin?

Nëse bëjmë gabimet e pjesës së parë me Izraelin do të jetë fatale për ne. Duhet të jemi shumë më të përqendruar për të mos kryer asnjë gabim.

A mendoni që qendërmbrojtësit do të jenë më mirë në këtë sfidë, e kam fjalën për Gjimshitin dhe Veselin…

Veseli dhe Gjimshiti kanë bërë një ndeshje të mirë, gabimet ishin vetëm teknike, më kanë bindur me formën e duhur.

Fakti që Gjimshiti është shtatlartë i jep përparësi….

Do të mbrohemi në të gjithë mënyrat dhe duhet të jemi të përgatitur në të gjitha situatat, sepse Skocia sulmon dhe kundërsulmon me shpejtësi.

Çfarë ju bëri të ndryshonit mendim për Kaçen?

Na është dëmtuar Lila. Kaçe ka patur një dëmtim nuk ka luajtur në tri ndeshjet e fundit. Do të jetë në stol, ndoshta për të na dhënë ndihmë në pjesën e dytë.

Grumbullimi i Kaçes u mor vesh nëpërmjet rrjeteve sociale, s’do të ishte më serioze sikur të jepej një njoftim zyrtar?

Sot bota rrotullohet nga rrjetet sociale. Çfarë mund të them, nuk e kam postuar unë në Instagram. Faji në këtë rast është i zyrës së shtypit.

A është Shqipëria favorite e grupit?

Nuk jemi favoritë, jemi në të njëjtin nivel tri skuadra. Të shpresojmë që të marrim rezultat pozitiv me Skocinë, për të fituar grupin duhet derdhur shumë djersë.

Leave a Reply