Shkëndija mbrojtjen e trofeut të Kupës e nis nga Gjevgjelia

Shkëndija gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij sezoni në kuadër të Kupës, trofe këtë të cilin e fitoi vitin e kaluar duke mundur në finalen e madhe të 23 mjajit skuadrën e Pelisterit me rezultatin 3:0.

“Kuqezinjtë”nga Tetova për tre edicione me rradhë po luajnë në finalet e Kupës së Maqedonisë, ndërsa bazuar në emrat e futbolllistëve që ka në rradhët e saja, Shkëndija me plotë të drejtë llogaritet sërish si një ndër skuadrat kryesore për të ngritur lartë këtë trofe edhe këtë edicion.

Rrugëtimin e tyre “kuqezinjtë”do ta nisin nga Gjevgjelia, ku do të përballen me Kozhuvin, skuadër kjo që garon në Ligën e Dytë – Lindje. Kjo ndeshje dy herë është shtyrë shkaku i angazhimeve të Shkëndijës. Fillimisht termini i parë ishte 22 gushti kur kuqezinjtë luanin në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, ndërsa më pas më 5 shtator u kërkua prolongimi i dytë shkaku i angazhimeve të gjashtë futbollistëve të Shkëndijës në ekipet përfaqësuese të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Shkëndija sezonin e ri në LPFM e nisi me dy barazime, mirëpo falë dy fitoreve të njëpasnjëshme, “kuqezinjtë” tashmë me 8 pikë renditen në pozitën e tretë, me vetëm një pikë më pak se dyshja kryesuese Rabotniçki dhe Akademia Pandev. Në anën tjetër Kozhuvi në tre xhirot e para ka tubuar 5pikë, (dy barazime dhe një fitore).

Përballja midis Kozhuvit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Gjevgjeli, me fillim në ora 15:30.

Leave a Reply