Feronikeli i Zekirja Ramadanit demolon kampionët e Dritës

Feronikeli, skuadër kjo që drejtohet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani ka demoluar skuadrën kampione të fuqi të Dritës, duke e mundur me rezultatin e thellë 4:0 në ndeshjen e javës së 5-të në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”.

Pas pjesës së parë pa gola në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli shkëlqeu në pjesën e dytë, atëherë kur skuadra e Dritës mbeti me 9 futbollistë në fushë pas përjashtimit me të kuq të Bujar Shabanit në minutën e 38-të dhe Viktor Kukës në minutën e 58-të pas dy kartonëve të verdhë.

Epërsinë numerike në fushë futbollistët vendas e shfrytëzuan maksimalisht, duke shënuar katër gola në rrjetën e skuadrës pejane.

Nga dy gola i realizuan Mendurim Hoti (62’, 87’) dhe Kastriot Rexha (77’, 90’), ndërkohë humbje, por para tifozëve të vet ka regjistruar edhe Gjilani, që është mposhtur nga Ballkani, me rezultatin 1:3.

Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 16-të me golin e Visar Berishës me kokë. Gjilanasit i barazuan shifrat në minutën e 28-të me golin e Vilfor Hysës. Megjithatë, gjashtë minuta më vonë skuadra nga Suhareka e riktheu epërsinë me golin e Jetmir Topallit me gjuajtje me kokë. Ndërkaq, fitoren e Ballkanit e konfirmoi Egzon Shabani, në minutën e 73-të, kur shënoi me gjuajtje nga distanca.

Ndërkaq, në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet është zhvilluar ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt, e cila nuk ka dhënë as fitues e as gola.

 

Leave a Reply