Shkëndija kap ritmin, 5 ndeshje, 5 fitore ! Ja çfarë thotë trajneri Osmani

Shkëndija e Tetovës pas dy barazimeve të njëpasnjëshme në dy xhirot e para të sezonit të ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, e ka rimarrë veten, ndërsa për këtë më së miri flasin edhe rezultatet e fundit të “kuqezinjëve”.

Ata në 5 ndeshje me rradhë kanë regjistruar po aq fitore, duke u rikthyer në identitet. Kjo ecuri e ekipit patjetër që ka kënaqur edhe trajnerin Osmani, i cili kërkon vazhdimësi edhe në ndeshjet e rradhës.

“Patjetër se më gëzon ecuria e ekipit. Fakti që kundër Kit-Go shënuam fitoren e pestë të njëpasnjëshme tregon se forma e skuadrës është në ngritje e sipër dhe ajo që duhet të bëjmë tani është vazhdimësia. Besoj se do të jemi të aftë të menaxhojmë gjërat si duhet dhe të vazhdojmë me këtë rritëm edhe në ndeshjet e rradhës”, -thotë trajneri Qatip Osmani.

Shkëndija pas barazimeve ndaj Vardarit (2:2) dhe Makedonija Gj.P (0:0) në dy xhirot e para, vijoi me fitore ndaj Bellasicës (4:1), FC Shkupit (2:1) dhe Rabotniçkit (6:2) në kampionat, ndërsa dy fitore të tjera identike (2:0) morri në ndeshjet e kupës kundër Kozhuvit në kuadër të 1/16 së finales dhe së fundmi kundër Kit Go në ndeshjen e parë të vlefshme për 1/8 e finales.

Ndeshjen e rradhës në kuadër të javës së 6-të Shkëndija e zhvillon në transfertë kundër Sileksit në Kratovë.

Leave a Reply