Higuain po shkëlqen, ja çfarë thotë për ndeshjen derbi me Interin

Gonzalo Higuain në ndeshjen e djeshme ndaj Kievos arriti të shënojë dy gola në fitoren 3:1 të Milanit, duke arritur kështu në shifrën e 6 golave me fanellën ‘kuqezi’ këtë edicion, 4 prej të cilëve ka shënuar në ‘Serie A’. Edhe përkundër këtyre statistikave, argjentinasi mendon se ka ende punë për të gjetur formën maksimale.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes me Kievon, numri 9 kuqezi deklaroi: ‘Ndihem pjesë e këtij Milani. Jemi një grup fantastik që punon maksimalisht. Gabimet janë një aspekt i zanatit, por rëndësi ka që po tregohemi profesionistë. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe janë këta binarët, të cilët duhet të ndjekim’.

‘El Pipita’ është i kënaqur me lojën e skuadrës, por disi më pak me rezultatet, të cilat janë disi gënjeshtare për sa u përket kuqezinjve.

‘Nisja e sezonit nuk ka qenë në përputhje me ndeshjet që kemi zhvilluar dhe rastet e krijuara. Milani ma ka dhënë besim dhe përgjegjësi që në ditën e parë dhe po përpiqem ta shpaguaj me paraqitje në nivel. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në të ardhmen, megjithëse më duhet edhe pak kohë për të arritur formën më të mirë’, – tha argjentinasi.

Pas fitores me Kievon, vijnë kombëtaret, por Higuain nuk është grumbulluar me Argjentinën, çka e bën që ai të përqendrohet te takimi i radhës, derbi me Interin.
‘Ishte një ndeshje e mirë, por tashmë vëmendja duhet të shkojë te derbi. Duhet të mundohemi të fitojmë më shumë takime dhe nëse ia dalim të marrim tri pikët me Interin, do të ishte diçka shumë e bukur’, – përfundoi bomberi.

Leave a Reply