Triçkovski jashtë kombinimit, Angellovski sërish nuk fton Ibraimin!

Përfaqësuesja A e Maqedonisë prej mbrëmë edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e rradhës në Ligën e Kombeve, kundër Lihtenshtejnit më 13 tetor në Shkup dhe Armeninë më 16 tetor në Erevan.

Në prag të këtyre dy takimeve trajneri Angellovski po has edhe në probleme, pasi jashtë kombinimit ka mbetur Ivan Triçkovski, një ndër futbollistët më në formë te përfaqësuesja e Maqedonisë, i cili kishte pësuar një lëndim në ndeshjen e së dielës që skuadra e tij AEK Larnaka e zhvilloi në transfertë kundër skuadrës së Ermis në kuadër të elitës së futbollit qipriot.

Triçkovski kishte zgjatje të muskulit, me ç’rast në minutën e 59-të ishte zëvendësuar nga bashkëlojtari i tij Tete, ndërsa e gjithë kjo ka bërë që ai të mbetet jashtë listës së futbollistëve te përfaqësuesja e Maqedonisë.

Edhe pse ndoshta pritej reagimi i seleksionuesit Igor Angellovski që më në fund të ftoj njërin ndër golashënuesit më të mirë që njeh futbolli vendor vite me rradhë, Besart Ibraimin, një gjë e tillë nuk do të ndodh, ashtu që fituesi Këpucës së Artë në LPFM në tre edicione me rradhë, si dhe lideri aktual në listën e golashënuesve në sezonin e ri nuk do të grumbullohet sërish nga strategu shkupjan, i cili si duket nuk e ka për shije bomberin kërçovarë.

Leave a Reply