Te Milani po bëjnë gati ‘fshesën’, në janar vijnë dy largimet e para

Ashtu siç po afron merkatoja e dimrit, ashtu skuadrat po mendojnë për afrimet e reja në skuadrat e tyre, por njëkohësisht edhe për largimet eventuale. E tillë situata është edhe te Milani, drejtuesit e së cilës skuadër që tani po mendojnë largimin e dy futbollistëve, që erdhën vetëm këtë verë.

Bëhet fjalë për dyshen Alen Haliloviç dhe Timue Bakajoko, të cilët nuk kanë bindur aspak me paraqitjet e tyre.

Kroati i talentuar te skuadra ‘kuqezi’ erdhi me kosto 0 dhe ishte blerja e fundit e drejtuesve të vjetër të Milanit, ndërsa mesfushori francez erdhi si i huazuar nga Çelzi deri në fund të sezonit.

Kroati Haliloviç   nuk është përdorur qoftë dhe njëherë nga Gatuzo dhe divorci në janar duket mëse i sigurt. Sipas raportimeve në mediet spanjolle për 22-vjeçarin janë të interesuara disa ekipe në vendin iberik dhe transferta e tij mund të bëhet përkundrejt një kostoje simbolike.

Çështja e Bakajokos është më e ndërlikuar. Për të ‘rossonerët’ shpenzuan 5 milionë euro për ta huazuar nga “blutë” e Londrës dhe rroga e tij është ndër më të lartat në skuadër. Mesfushori nuk po arrin të përshtatet në futbollin italian dhe gjasat që Milani të aktivizojë klauzolën prej 35 milionë eurosh janë inekzistent, të paktën për momentin.

Nuk përjashtohet mundësia që lojtari të kërkojë largimin që në janar, në mënyrë për të pasur minuta në një ekip tjetër, por për këtë atij do i duhet të paguaje nga xhepi i tij. Kjo e fundit është më pak e mundur, ashtu që Milani me këtë të fundit i ka duart e lidhura, ashtu që mbetet të shihet nëse edhe ky njëjtë sikurse Haliloviç, edhe përfundimisht do të largohet në janar nga ‘San Siro’.

Leave a Reply