Murinjo në stilin e tij: Fituam, mirëpo barazimi do të ishte rezultati më real!

Mançester Junajtedi i Hoze Murinjos mund të mburret se është skuadra e parë që Juventusit i ka shkaktuar disfatë këtë edicion. ‘Djajtë e Kuq’ në këtë ndeshje shënuan fitore 2:1, edhe atë me një përmbysje spektakolare që erdhi vetëm në 5 minutat e fundit të takimit.

Fillimisht Huan Mata në minutën e 86-të me një super gol nga gjuajtja e lirë barazoi shifrat në 1:1, ndërkohë një autogol i Aleks Sandro në minutën e fundit të takimit i dha fitoren skuadrës së Murinjos, i cili pas përfundimit të ndeshjes, tha se skuadra e tij ishte paraqitur në një nivel shumë të lartë dhe se deri në fund kërkonte fitoren.

‘Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje fantastike, në një nivel shumë të  lartë. Nuk ka se si të paraqitemi më mirë. Erdhëm këtu për tu përballur me një skuadër që është më e mirë se ne në të gjitha aspektet. Arritëm që të fitojmë ndeshje, pasi luajtëm mirë dhe kërkonim fitore deri në fund. Fellaini shpeshherë dinë që të ndryshojë kahjen e lojës kur inkuadrohet në lojë. Nuk mund të llogarisja në shërbimet e tij në ndeshjen e parë. Juventusi inkuadroi në lojë Barzaljin, për të kontrolluar lojën, mirëpo ne u kundërpërgjigjëm me inkuadrimin në lojë të Maruan Fellainit, dhe menjëherë kërkuam golin. Huan Mata hyri në lojë për të ekzekutuar goditjet e lira dhe për të harkuar drejt Fellainit, i cili dominon në duelet ajrore. Fitorja apo barazimi nuk do të ndryshonte situatën te Juventusi, mirëpo për ne këto tre pikë janë shumë të vlefshme. Megjithatë mendoj se barazimi do të ishte rezultati më real’ – u shpreh Murinjo.

Leave a Reply