Liga Europa vjen me disa ndeshje shumë interesante

Pas ndeshjeve në Ligën e Kampionëve që në program ishin të martën dhe të mërkurën, sonte rradha është e ndeshjeve të Liga Europa, praktikisht sfidave të kthimit të këtij raundi dhe është e kuptueshme që ekipe si Cyrih, Salzburg, Dinamo Zagreb, Arsenal, Aintraht Frankfurt dhe Çelzi janë vërtet shumë pranë kualifikimit për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, teksa kryesojnë në grupet respektive me pikë të plota.

Në kalendar do të përsëriten ndeshjet e dy javëve më parë, me takimet e Grupeve A, B, C, D, E dhe F që do të startojnë në ora 21:00, dhe takimeve në Grupet G, H, I, J, K dhe L, që nisin në ora 18:55.

Në Grupin ‘D’ Dinamo e Zagrebit udhëheq në kuotën e 9 pikëve. Verdheblutë përkohësisht mbajnë vendin e dytë me 4 pikë, ndërsa klubi i famshëm belg aktualisht pozicionohet në fund me vetëm një pikë, ndërkaq në mes klasifikohet ekipi sllovak i Spartak Tërnavës me 3 pikë.

Krejt ndryshe nga ç’ndodh në Kupat e Evropës në kampionatin turk Feneri është në vështirësi të theksuar, teksa renditet vetëm në vendin e 15, dy pikë larg fundit, por sidoqoftë durimit të drejtuesve i erdhi fundi dhe tashmë ekipi i është besuar vëllait të trajnerit të përfaqësueses së Holandës, Ervin Koman, që më parë ishte në rolin e asistentit ndërsa tani zëvendëson përkohësisht Fillip Kokun, që u shkarkua dhjetë ditë më parë, praktikisht vetëm një ditë përpara 48-vjetorit dhe me aventurën e tij që në Super Ligën Turke zgjati katër muaj gjithsej.

Në krahun tjetër pas barazimit 2-2 në Bruksel Anderlehtit i nevojiten patjetër pikë, për më tepër në një fushë tepër të vështirë, ku miqtë nuk kanë arritur kurrë të shënojnë. Në orën 18:55 në Itali do të luhet takimi Lacio – Marsejë, ndeshje e vlefshme për Grupin ‘H’, ku ish-trajneri i Romës, Rudi Garsia do të rikthehet në Olimpiko për të marrë hak ndaj “bardhekaltërve”, sidomos për disfatën 3:1 të pësuar dy javë më parë në Velodrome, që e lë pothuajse të pashpresë ekipin francez për të vazhduar më tej.

Me shumë interes priten gjithashtu edhe sfidat e Grupit G: Spartak – Glazgou Renxjers dhe Rapid Viena – Viljareal, grup ku për momentin kryesojnë pikërisht dy skuadrat udhëtuese, në kuotën e 5 pikëve.

Pas humbjes 1:2 në “San Siro” Milani shpreson ti hakmerret Betisit në stadiumin “Benito Villamarin”, ndeshje që do të luhet në orën 21:00, por që pritet me shumë kuriozitet nga tifozët respektivë, duke patur parasysh impenjimet e fundjavës, pasi ekipi andaluz do të vizitojë Barcelonën në ‘Kamp Nou’, ndërsa Milani do të presë në ‘San Siro’, Juventusin.

Në Grupin E dueli më i rëndësishëm është ai midis Arsenalit dhe Sportingut. Në Lisbonë “topçinjtë” fituan falë golit të realizuar nga Dani Velbek 12 minuta para fundit, gol që aktualisht mban në krye pikërisht ekipin e Unai Emeryt me tre pikë më shumë, gjithsesi skuadra londineze po luan shumë mirë, pavarësisht 2 barazimeve në 3 sfidat e fundit, që për hir të së vërtetës janë edhe të vetmet raste kur Arsenali nuk ka fituar, në 14 përballjet e fundit në të gjithë kompeticonet.

 

Po në orën 21:00 në Glazgou do të luhet edhe takimi Seltik – Lajpcig, ndeshje e vlefshme për Grupin ‘B’, ku për momentin kryeson Salzburgu me 100% të pikëve, që ka edhe golashënuesin më të mirë të këtij aktiviteti, Dabur me 5 gola, sidoqoftë misioni për vendasit është i qartë dhe ekipit të drejtuar nga Brendan Roxhers i nevojiten patjetër 3 pikët për të mbajtuar të gjalla shpresat për një kalim në fazën e eliminimit.

Ndërkohë, luhet edhe përballja Bordo – Zenit, e vlefshme për Grupin ‘C’, ku në fakt skuadra e drejtuar nga Sergei Semak ka një rast shumë të mirë për të marrë 3 pikët, ndaj ekipit zhirondin, që është një ndër 5 klubet që nuk kanë grumbulluar asnjë pikë deri tani, bashkë me ekipe si Rozenborg, Karabag, Dudelanzh dhe Akhisarspor.

Leave a Reply