Angellovski: Ja arritëm qëllimit, tashmë mendojmë Europianin e vitit 2020

Përfaqësuesja e Maqedonisë sonte shënoi fitore 4:0 ndaj Gjibraltarit, duke siguruar një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Seleksionuesi Igor Angellovski pas përfundimit të ndeshjes tha se është i lumtur nga kjo fitore, duke theksuar se qëllimi i tyre tashmë do të jetë kualifikimi në Kampionatin Europian të vitit 2020.

‘Qëllimi ynë është kualifikimi në Europianin e vitit 2020. Do të jetë kjo kërkesa ime ndaj futbollistëve, mirëpo fillimisht të shohim se kush do të jetë kundërshtari ynë. Shpresoj që ajo gjysmëfinale në terren vendas do të zgjojë më shumë interesim, pasi futbollistët vërtetë meritojnë një gjë të tillë. Falënderime pa fund për futbollistët, ata janë më të merituar për këtë, punuan shumë për të arritur deri këtu. Ja arritëm qëllimit dhe mund të themi se jemi të kënaqur. Maqedonia dëshmoi se nuk është për këtë grup’ – tha Igor Angellovski në konferencën për shtyp të organizuar pas përfundimit të ndeshjes.

Maqedonia ndeshjen gjysmëfinale do ta zhvillojë si vendas, dhe me siguri se kjo do të jetë një epërsi për ‘verdhekuqtë’, të cilët për kundërshtarë mund të kenë Bjellorusinë ose Kosovën.

Leave a Reply