Marselos i mungon Ronaldo, flet edhe për transferimin e mundshëm te Juventusi

Gola, përqafime dhe kupa. Marselo te Reali kishte arritur gjatë vitit 2007, teksa Kristiano Ronaldo dy vite më pas.

Nga viti 2009 kanë fituar gjithçka së bashku. Futbollistët simbol të Real Madridit që kanë dominuar në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit kanë qenë ata të dy,  Marselo dhe CR7.

Një miqësi e madhe që tani jetohet në distancë për shkak të transferimit të portugezit te Juventusi.

Numri 12 i “Mbretërve” nuk e ka humbur rastin për të folur për mikun e tij të vjetër në një intervistë të dhënë për “Club del Deportista”.

Marselo e ka pranuar se Ronaldo vazhdon t’i mungojë atij.

“Kristiano është më i miri në  botë, më duket normale që më mungon. Askush nuk është si ai, por Reali do të vazhdojë të jetë Real. Fakti që nuk është më nuk do të thotë se nuk kemi futbollistët më të mirë në botë në  të gjitha repartet” – ka thënë braziliani, i cili kishte folur edhe për kalimin e mundshëm te Juventusi: “Unë tek Juventusi? Nuk e kam menduar kurrë të kërkoj një skuadër tjetër. Kam bërë gjithmonë gjithçka që ishte e mundur për të qëndruar këtu”.

Leave a Reply