Askush si Shkëndija nga skuadrat shqiptare!

Shtëpia europiane e futbollit “UEFA” ka publikuar shumat e fituara nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse këtë edicion në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës, aty ku gjatë vitit 2018-të si asnjëherë më parë shqiptarët u përfaqësuan me gjithsej 8 skuadra, njofton ‘infOSport.mk’.

Shqipëria u përfaqësua me 4 skuadra, Kukësin, Partizanin, Luftëtarin dhe Laçin, Kosova me dy, Dritën dhe Prishtinën, ndërsa gjithashtu edhe Maqedonia u prezantua me dy skuadra shqiptare, Shkupin dhe Shkëndijën.

Pikërisht kjo e fundit rezultoi të jetë skuadra që përfitoi më shumë të holla nga gjitha ekipet shqiptare. Skuadra e Shkëndijës përfitoi gjithsej 1 milion e 700 mijë euro, prej të cilave 1 milion e 400 mijë euro i përfitoi në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ku arriti deri në raundin e tretë, ndërsa 300 mijë euro të tjera në ndeshjet e Liga Europa, ku për të tretin vit me rradhë luajti në fazën ‘play-off’, mirëpo që edhe këtë vit nuk pati fat, duke u eliminuar nga skuadra e njohur norvegjeze e Rosenborgut.

Pas Shkëndijës renditet skuadra kampione e Kosovës, Drita, që ka përfituar gjithsej 1 milion e 30 mijë euro, (770 mijë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe 260 mijë në ndeshjet e Liga Europa), ndërsa vendi i tretë i takon skuadrës së Kukësit, që në arkat e saj kishte shtuar 940 mijë euro, prej të cilave 660 mijë në Ligën e Kampionëve dhe 280 mijë në Liga Europa.

Pason Laçi në vendin e katërt me 500 mijë euro, duke lënë pas vetes Prishtinën me 460 mijë euro, teksa FC Shkupi, Partizani dhe Luftëtari kishin përfituar nga 240 mijë euro, transmeton ‘infOSport.mk’.  

Këto tre skuadra pjesëmarrëse në eliminatoret e Liga Europa, ishin eliminuar që në raundin e parë.

Leave a Reply