Xhengis Rexhepi debuton me fitore te Llapi

Strategu tetovar Xhengis Rexhepi ka debutuar me fitore në bankinën e Llapit në Superligën e Kosovës, teksa sot skuadra nga Podujeva me rezultatin 3:0 në udhëtim mundi KEK-un, në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, njofton ‘infOSport.mk’.

Skuadra e Llapit ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë se skuadra vendase, e cila edhe përkundër përforcimeve të bëra gjatë merkatos së dimrit, nuk arriti që ti bëjë ballë skuadrës llapjane, që me këtë fitore tashmë afrohet në vetëm dy pikë ndaj liderit aktual Prishtinës.

Mentor Zhdrella nga pika e bardhë në minutën e 37-të hapi serinë e golave në këtë ndeshje, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë, Hamdi Namani realizoi edhe për 0:2.

Ky gol ua lehtësoi edhe më shumë punën futbollistëve të Llapit, të cilët me dominimin në fushën e blertë vazhduan edhe gjatë pjesës së dytë, kur me anë të Arbnor Ramadanit shënuan edhe golin e tretë. Vlen të theksohet se nga minuta e 39-të skuadra vendase e KEK-ut luajti me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Stullqakut.

Ndryshe në këtë ndeshje te Llapi përveç trajnerit Xhengis Rexhepi, debutuan edhe dy futbollistët tetovarë, Remzifaik Selmani, i cili luajti si titullarë, dhe Miran Maksuti, që në lojë u inkuadrua gjatë pjesës së dytë.

Për Llapin ishte kjo fitorja e 12-të sezonale, me ç’rast tashmë me 37 pikë, i është afruar në vetëm një pikë Feronikelit të Zekirja Ramadanit të vendit të dytë dhe vetëm dy pikë skuadrës kampione të vjeshtës, Prishtinës.

Leave a Reply