Luanat e Futsal Shkupit nuk kanë të ndalur, 24 fitore në 25 ndeshje

Sot festa në Çair ka qenë e dyfishtë, pasi përveç ekipit të futbollit të madh FC Shkupi, ka triumfuar edhe ekipi i futbollit të vogël, Futsal Shkupi, njofton “infOSport.mk”.

Këta të fundit sonte në palestrën “Enver Idrizi” në Seravë mundën Astibon me rezultatin 9:2. Të besuarit e trajnerit Zoran Lekiq zhvilluan edhe një tjetër super ndeshje, e ku në shprehje lojtarët “bardhekaltër” erdhën vetëm në pjesën e dytë, kur shënuan plotë 6 gola.

Ndryshe pjesa e parë u mbyll me rezultatin e ngushtë 3:2, mirëpo me një dominim të plotë të Futsal Shkupit, që në këtë pjesë shpërdoroi shumë raste shënimi.

Eroll Dalipi ishte më efikasi, duke realizuar 3 gola, nga dy gola në këtë ndeshje shënuan Taulant Ismaili dhe Rexhep Sulejmani, që vazhdoi me paraqitjet e tij të mira, ndërsa nga një gol realizuan edhe Arsim Fazliu dhe Jetlir Ibrahimi.

Pas 25 xhirove, Futsal Shkupi numëron 72 pikë, duke siguruar titullin e kampionit që javë më parë, ndërsa deri në mbyllje të sezonit aktual do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera, edhe atë përballë Velesit javën që vjen, dhe Zhelezarecit pas dy javësh. Që të dyja ndeshjet Futsal Shkupi do ti zhvillojë si vendas.

Leave a Reply