Flet golashënuesi i vetëm i gjallë i ndeshjes së parë zyrtare të Shkëndijës

“Ishin kohë të vështira, por të bukura që i kujtojmë me kënaqësi të madhe, për më shumë që klubi tashmë prek nivele shumë më të larta“, thotë mes tjerash Pajazit Arifi, i cili bashkë me tashmë të ndjerët Shani Fetai dhe Namik Ramadani ishin autor të golave në ndeshjen e parë zyrtare të Shkëndijës në vitin 1979  kundër skuadrës Kosoms (4:0).

Shkëndija e Tetovës vite me rradhë është shndëruar në makineri dominuese e futbollit vendor dhe krahas titujve kuqezinjtë kanë arritur të lënë shenjë edhe në Europë ku paraqiten vazhdimisht në turet eliminatore prej kur “Ecolog” ka drejtimin e skuadrës, ndërsa nuk kanë munguar edhe sukseset si pjesëmarrja tre herë rresht në play off të UEFA Europa League. Aberdeen, HJK Helsinki, Gent, Salzburg, Rosenbor, madje edhe shtatë herë kampioni i Europës, Milani janë ekipet e famshme me të cilat është përballur Shkëndija dhe këto duele gjithsesi se kanë rritur reputacionin e skuadrës tetovare që gjithnjë ka gjetur vend në mediat vendore dhe mbarëkombëtare.

Por për dashamirët e vërtetë e klubit, ata që janë pranë ekipit gjatë gjithë historisë me rëndësi mbetet çdo detaj, madje kur përmendet e kaluara ‘ndizen qirinjëtë’ e nostalgjisë që kthen kujtimet për të kaluarën e vëshitrë, por që ngjall krenari.

Të dielën Shkëndija humbi autorin e dy golave të parë në historinë e klubit, pasi në moshën 59-të vjeçare nga jeta u nda, Shani Fetai. Shuarja e një prej lojtarëve të gjeneratës së parë e cila në vitin 1979 jetësuan ëndërën e krijimit të një klubi të futbollit në Tetovë preki çdo mbështetës të kësaj skuadre, por më të vështirë padyshim se e kishin ata që e njihnin më së afërmi tashmë të ndjerin Shani Fetai-n, bashkëlojtarët e tij të gjeneratës së parë. Shani Fetai mbetet në histori si autori i dy golave të parë në historikun e Shkëndijës, kur realizoi për 1:0 dhe 2:0 në takimin e parë zyrtar kundër skuadrës Kosmos në vitin 1979 të fituar 4:0. Golin e tretë e ka shënuar Pajazit Arifi dhe të katërtin, i ndjeri Namik Ramadani. Nga kjo listë e tre autorëve të katër golave (Shani Fetai shënoi dy), i vetmi i gjallë është Pajazit Arifi dhe prononcimi i tij në faqen zyrtare të KF Shkëndija në lajmin ngushllues për humbjen e Shani Fetait, gjithsesi se zgjoi interes në opinionin tetovar e më gjërë.

“Shani Fetai ishte një djalë shembullor, shok i vyer dhe punëtor i zellshëm. Kujtoj sikur të ndodh tani ndeshjen e parë zyrtare dhe dy golat e tij kundër Kosmos-it. Më vonë do të shënoja edhe unë dhe i ndjeri Namiku. Ishin kohë të vështira, por të bukura që i kujtojmë me kënaqësi të madhe, për më shumë që klubi tashmë prek nivele shumë më të larta. Ngushllime për familjen Fetai dhe gjithë ata që e njohën tashmë të ndjerin“, është shprehur me nostalgij për faqen zyrtare të KF Shkëndija, Pajazit Arifi, i cili shënoi emrin e tij në listën e golashënuesve në ndeshjen e parë zyrtare në historinë e Shkëndijës, bashkë me tashmë të ndjerët Shani Fetai dhe Namik Ramadani.

 

Leave a Reply