Enis Bardhi nga Spanja flet për koronavirusin dhe izolimin e tij në shtëpi

Futbollisti shkupjan, Enis Bardhi, që përfaqëson Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për “Fan Zone” ka thënë se nuk ka frikë nga këto ditë izolimi për shkak përhapjes së Koronavirusit, pasi është mësuar të jetojë i vetëm që nga mosha 16 vjeçare.

“Ashtu si në gjithë Europën, ne jemi mbyllur brenda dhe njerëzit janë ndërgjegjësuar shumë për të qëndruar në izolim. Ka shumë pak lëvizje dhe shpresoj që të kalojë sa më shpejt, pasi shëndeti i njerëzve është më i rëndësishëm” – tha fillimisht Bardhi, i cili edhe përkundër situatës së krijuar në Spanjë për shkak koronavirusit, ai do të vazhdojë të mbetet në Valencia, pasi sipas tij vetë izolimi nuk paraqet problem për të.

“Në fakt unë jam mësuar të qëndroj vetëm, pasi jam larguar nga familja që në moshën 16-vjeçare. Gjatë kësaj kohe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen time dhe u kam qëndruar strikt ushtrimeve që na kanë ngarkuar nga klubi, ndaj nuk e kam menduar të thyej rregullat e izolimit e të largohem” – ka përfunduar Bardhi, i cili me Levanten e tij gjatë sezonit aktual në 21 ndeshje ka shënuar 2 gola.

Leave a Reply