Historike, KHF Çair do të përfaqësojë RMV në EHF League, Latifi: Jemi shumë të lumtur

U themeluan në vitin 2008, ndërsa vitin e kaluar për herë të parë luajtën në mesin e më të mirëve, ndërsa fati ishte në anën e tyre, pasi KHF Çair do të përfaqësojë vendin tonë për herë të parë në historikun e saj në garat europiane.

Një gjë të tillë për “infOSport.mk” konfirmoi kryetrajneri Basri Latifi, i cili gjatë bisedës nuk fshehu aspak gëzimin e madh që kishte.

“Jemi shumë të lumtur që na u dha kjo mundësi. Tashmë kanë mbetur edhe disa çështje administrative. Pasi u anulua sezoni, kemi qenë në mankth, pasi e dimë se në raste të këtilla për garat europiane i marrin në bazë rezultatet e edicionit të kaluar, ndërsa neve edicionin e kaluar nuk ishin pjesë e garave europiane. Kjo na lëndoi pak, pasi në ato momente i humbëm shpresat disi, edhe pse realisht kishim ekip për 2-3 pozitat e para. Mirëpo në këtë rast fati buzëqeshi për ne, pasi siç dihet Metalurgu nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa në garat tjera nuk kanë të drejtë loje. Vardari gjithashtu është i suspendum, ashtu që neve si skuadra e katërt në tabelë do të përfaqësojmë vendin në garat europiane” – u shpreh fillimisht kryetrajneri Basri Latifi, duke potencuar se ky është një rast shumë i mirë për të shfrytëzuar këtë rast historik. Ai enkas për “infOSport.mk”, zbuloi se tashmë ekipi i tyre është përforcuar edhe me dy hendbolliste të reja, ndërsa në prag të garave europiane, pritet që të përforcohen edhe me emra të tjerë.

“Mund të ju zbulojë se tashmë kemi arritur marrëveshje me dy hendbolliste nga vendi ynë, ndërsa jemi në bisedime që të përforcohemi edhe me dy hendbolliste nga Kosova, me qëllim që sa më të përgatitur të presim debutimin tonë në garat europiane” – deklaroi Latifi.

KHF Çair do të marrë pjesë në eliminatoret e EHF League, njëjtë sikurse edhe Pelisteri, duke iu falënderuar rezultateve të edicionit të kaluar në Europë, derisa Kumanova do përfaqësojë vendin në garat e Ligës së Kampionëve.

Leave a Reply