Liverpulli dominon në tërësi dhe fiton pa probleme Arsenalin (VIDEO)

Liverpulli ka vazhduar me paraqitjet pozitive në sezonin e ri. Skuadra nga “Enfilld Roud” regjistroi edhe fitoren e tretë, pasi sonte si vendas me rezultatin 3:1 mundi Arsenalin, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Jurgen Klop kishte dominim total gjatë gjithë ndeshje, mirëpo ishin mysafirët nga Londra që avansuan të parët falë golit të Lakazet në minutën e 25-të.

Skuadra kampione e Anglisë u kundërpërgjigjë vetëm disa sekonda më pas, kur Mane barazoi shifrat, ndërsa pas disa minutave ata kaluan në avantazh. Andi Robertson i cili kishte faj gjatë shënimit të golit të “topçinjëve”, u revanshua duke shënuar për rezultat 2:1.

Pak para fundit të takimit përforcimi më i fundit i Liverpullit, Diogo Zhota shënoi golin debutues me fanellën e skuadrës nga “Enfilld Roud”. Portugezi u inkuadrua në lojë në minutën e 80-të, dhe kjo ishte ndeshja e tij e parë me ekipin e Liverpullit në Premierligë.

Liverpulli pas 3 xhirove të para numëron 9 pikë të plota, ndërsa tashmë plotë 61 ndeshje nuk dinë për disfatë në ndeshjet si vendas. Në anën tjetër për Arsenalin ishte kjo disfata e parë në sezonin e ri, pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në dy xhirot e para.

Leave a Reply