Ekskluzive, Valon Et’hemi vazhdon karrierën në Turqi, nesër prezantimi

Telenovela “Valon Et’hemi” mund të themi se është mbyllur me mjaft sukses. Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, futbollisti me origjinë nga Tetova karrierën e tij do ta vazhdojë në Turqi, te skuadra e Istanbulspor, që sezonin e ri në ligën e dytë turke e ka nisur mjaft mirë, kjo falë edhe dyshes së futbollistëve shqiptarë, Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca.

Me këtë dyshe, Valon Et’hemi së fundmi kishte luajtur bashkë te Kukësi, ashtu që tashmë te Istanbulspor do të krijohet një treshe e frikshme shqiptare, që shpresojmë në fund ta ndihmojnë skuadrën për tu ngjitur në Superligën turke. Et’hemi sot u pa në tribunat e stadiumit të Istanbulspor, skuadër kjo që mundi Eskishehirsporin me rezultatin 3:0, me Kristal Abazajn që shënoi golin e parë dhe Rrocën që asistoi në golin e dytë të shënuar nga Papa Diuf dhe përfitoi një penalti, të cilën në gol në minutën e 89-të e shndërroi turku Onur Ergyn.

 

Ndryshe lajmin për transferimin e Et’hemit te Istanbulspor ekskluizivisht për “infOSport.mk” e konfirmoi menaxheri i mesfushorit tetovar, Adrian Aliaj, një emër ky i njohur për opinionin shqiptarë, pasi një kohë bukur të mirë mbronte ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë.

“E kemi mbyllur dhe nesër nënshkrujme kontratën , është zgjidhja më e mirë dhe jemi të kënaqur” – tha enkas për portalin tonë, Adrian Aliaj.

Largimi i Valon Et’hemit nga Kukësi rezultoi të jetë shumë i komplikuar, me skuadrën nga Verilindja e Shqipërisë që fillimisht bllokoi transferimin e Et’hemit te skuadra polake e Zaglebie Lubin, ndërsa i njëjti edhe pse ishte shumë afër transferimit te skuadra kroate e Lokomotivës së Zagrebit, në fund nuk arriti marrëveshja e duhur. Mirëpo tashmë si duket gjithçka është gati dhe nesër Et’hemi pritet të hedh firmën me Istanbulspor, skuadër kjo që pas 7 xhirove të para në Liga 1 të Turqisë, renditet në pozitën e dytë me 16 pikë, një më pakse Tuzlaspor e vendit të parë.

 

Leave a Reply