Bajer-Gladbah, spektakël me 7 gola, ish interisti shënon në stilin “alla-Ibrahimoviç” (VIDEO)

Bajer Leverkuseni dhe Borusia Menhengladbahu sot zhvilluan një ndeshje spektakolare me 7 gola në “BayArena”.

Në fund ishin “aspirinat” që shënuan fitore me rezultatin 4:3 dhe që morrën 3 të reja, me të cilat tashmë ndajnë pozitën e 3-të me Dortmundin, që të dyja skuadrat me nga 15 pikë.

Dy herë kaluan miqtë në avantazh me anë të kapitenit Stindl në pjesën e parë, por vendasit ia dolën të përmbysin gjithçka falë golave të shënuar nga Alario (27’, 41’), Bailey (68’) dhe Baumgartlinger (82’).

Në minutat shtesë erdhi edhe goli i tretë i Gladbahut, me autorë Lazaro. Austriaku i ri shënoi një eurogol të vërtetë, duke dërguar topin në rrjetë në versionin “alla-Ibrahimoviç”. Ky gol fitoi duartrokitjet e të gjithëve për mënyrën e realizimit nga ana e ish futbollistit të Interit.

Leave a Reply