Ademi: Bellasica rast i mirë për tu rikthyer te fitoret

Nga java në javë kampionati po bëhet edhe më i ngjeshur, pasi që tani më deri në mes të dhjetorit, do luhen ndeshje edhe në mesjavë edhe fundjavë.

Kësisoj sot (e mërkurë)  në program janë ndeshjet e javës së 14-të në LPFMV, ndërsa një ndër ndeshjet që zgjon interesim për kreun e tabelës, është edhe ajo në Shkup, midis FC Shkupit dhe Bellasicës.

“Bardhekaltërit” nga Çairi janë favoritë absolut në këtë përballje, mirëpo një gjë të tillë do të duhet ta dëshmojnë edhe në fushën e blertë. Ata në 3 ndeshjet e fundit kanë regjistruar po aq barazime, ndërsa sipas sulmuesit të krahut, Ilirid Ademi, pikërisht në ndeshjen e sotme kundër Bellasicës është momenti për të arkëtuar 3 pikët e plota dhe për të rikthyer në skuadër atë mentalitet fituesi.

“Me ndeshjen kundër Bellasicës rikthehemi që të luajmë në shtëpi, kemi tri ndeshje që kemi qenë mysafir dhe ishin ndeshje mjaft të vështira, mirëpo arritëm që në të tria përballjet mos të humbasim. Pikërisht në ndeshjen kundër Bellasicës mendojmë që të rikthehemi te fitorja dhe ta rikthejmë mentalitetin fitues që të jemi sa më afër kreut të tabelës”, – ka thënë Ademi për faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja FC Shkupi – Bellasica do të luhet në stadiumin kryesor në kompleksin “Petar Milloshevski” të FFM-së, me fillim në ora 13:00.

Leave a Reply