Shkëndija favorite absolute ndaj Pelisterit

Shkëndija me 6-të pikë diferencë para rivalëve më të afërt FC Shkupit dhe Makedonija GJ.P, do të futet në në përballjen e fundit për vitin 2020, që do ta zhvillojë nesër në Tetovë kundër Pelisterit, njofton “infOSport.mk”.

Synimi i skuadrës së Ernest Gjokës është që me fitore të shkojë në pauzën dimërore, para gjysmësezonit pranveror kur do të vendoset gjithçka rreth titullit të kampionit.

Shkëndija dhe Pelisteri përballen për herë të dytë në këtë sezon, pasi “kuqezinjtë” në duelin e parë në Manastir shënuan fitore bindëse me shifrat 3:1.

Derisa skuadra “kuqezi” ka ecur shumë mirë në vjeshtë duke udhëhequr renditjen pa asnjë disfatë në 17-të ndeshje, Pelisteri vuan në rezultate dhe ka efektin prej 8 humbjeve, 6 barazimeve dhe vetëm tre fitoreve, përfshirë këtu edhe atë të fundjavës që lamë pas kundër Bellasicës.

“Të gjelbrit” nga Manastiri me 15 pikë mbajnë vendin e 10-të në renditje dhe janë në mesin e skuadrave që do luftojnë për mbijetesë.

Përballja ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit luhet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 13:00, dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores së “kuqezinjëve” të Ernest Gjokës, do të përbënte një senzacion.

Leave a Reply