Renova me Qatip Osmanin frymon më ndryshe, fitorja ndaj Makedonija GJ.P paralajmëron një pranverë të bukur (VIDEO)

Renova me plotë meritë ka shënuar fitore 3:2 në transfertën e vështirë në stadiumin e Gjorçe Petrovit në Shkup kundër Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”.

Pas barazimit pa gola ndaj FC Shkupit në Tetovë, “gjipspunuesit” i priste edhe një ndeshje tjetër e rëndë, duke pasur parasysh se sërish përballë kishte një ndër skuadrat pretendente për titull.

Megjithatë kur në skuadër ke futbollistë me eksperiencë të madhe dhe që në maksimum aplikojnë detyrat e dhëna nga ana e trajnerit Qatip Osmani, atëherë suksesi nuk ka se si të mungojë.

Strategu tetovar edhe njëherë tjetër dëshmoi se është një nga më të mirët në futbollin vendor, kjo pasi në momentet më të vështira dinte të mbajë skuadrën në lojë, pavarësisht se skuadra e tij 20 minuta para fundit të takimit ishte në disavantazh.

Ndryshe Suhel Muharemi shënoi golin e parë për Renovën, kur shfrytëzoi një devijim në zonën kundërshtare dhe nga afërsia shënoi me kokë në rrjetën e Stevkovskit. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 40-të, ndërsa vetëm pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë, një ndër futbollistët më të mirë në rradhët e Makedonija GJ.P., shqiptari, Ermedin Adem, solli simetri në rezultat.

Në minutën e 70-të, pas një lëvizjeje të bukur nga e djathta, braziliani Fernando Augusto Fernandinjo, shënoi golin më të bukur të ndeshjes, kur me të majtën e tij qëlloi këndin lartë të portës së Hadis Velii.

Mirëpo kjo nuk ndikoi shumë tek mysafirët nga Xhepçishti, të cilët vetëm disa sekonda më pas arritën që të barazojnë shifrat në 2:2.

Kapiteni Burim Sadiki në afërsi kombinoi me Shefit Shefitin, ndërsa ky i fundit mu në momentin e duhur i dha topin sul]muesit Remzifail Selmani, i cili në manirin e golashënuesve të mëdhenj, duke plasuar topin në këndin më të largët të portierit Stevkovski, shënoi për 2:2.

Ky gol ju dha krahë “bardhekaltërve” nga Tetova, të cilët në minutën e 87-të pas një aksioni të bukur, dhe asistimit të saktë  të Arbër Shalës, me anë të Shefit Shefitit shënuan edhe golin e tretë, që në fund u tregua i mjaftueshëm për fitoren e Renovës në këtë transfertë jo dhe aq të lehtë, transmeton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja e katërt sezonale dhe e treta në 6 ndeshje me Qatip Osmanin për Renovën, skuadër kjo që stinorin vjeshtorë e mbyll në zonën e ftohtë, mirëpo që shpreson në pranverë të nxehen mirë, duke kapur pozitat më lartë në renditje.

19 pikë për Renovën dhe pozita e 9-të në tabelë, ndërkohë Makedonija GJ.P e mbyll në pozitën e tretë me 33 pikë.

Foto: gol.mk

Leave a Reply