Ballkani me ‘ban’ në merkato, portieri Rexhepi kthehet te Shkëndija

Asgjë nga transferimi i portierit shkupjan Bekim Rexhepi në rradhët e Ballkanit të Suharekës. Gardiani i talentuar i Shkëndijës së Tetovës u gjet në një situatë interesante, pasi duke e vlerësuar si investim serioz për të ardhmen Shkëndija e Tetovës kishte pranuar ta lëshojë si huazim për të ndihmuar Ballkanin e Suharekës. Nga kjo lëvizje duhej të dilnin të gjithë fitues, pasi tetovarët do t’i jepnin hapsirë për të luajtur një portieri që e planifikojnë për të ardhmen e që momentalisht është alternativë e Kostadin Zahovit, ndërsa skuadra kosovare do të merrte një siguri të garantuar në portë, duke ditur kualitetet e Rexhepit.

Gjithçka dukej gati për të mbyllur këtë lëvizje, portieri madje u bashkua me Ballkanin në përgatitjet në Shqipëri, por një problem i papritur administrativ ka prishur gjithçka. Ekipi nga Suhareka për momentin nuk mund të regjistrojë futbollistë në merkato për shkak të një ndalese të vendosur nga UEFA në sistemin për realizim të lëvizjeve (TMS – Transfer matching system). Ky ‘ban’ në merkato ka detyruar portierin të kthehet në Tetovë dhe të vijojë përgatitjet me klubin e tij Shkëndijën, ndërsa Ballkani përveç kërkimit të një portieri tjetër do të duhet të punojë edhe në heqjen e ndalesës për transferime. Nga tabori i Shkëndijës së Tetovës deri tani nuk kanë bërë asnjë koment në lidhje me Bekim Rexhepit, duke mos komentuar as huazimin e portierit të tyre, e as kthimin e tij në skuadër, përveç faktit tashmër të njohur se drejtuesit e klubit kuqezi llogarisin seriozisht në shërbimet e tij për të ardhmen.

Leave a Reply