Futsal Shkupi gati për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve

infOSport.mk drejtëpërdrejtë nga Zaporozhje e Ukrainës

Futsal Shkupi gjatë ditës së sotme ka kryer edhe stërvitjen zyrtare para takimit të nesërm kundër MFC Kherson, e vlefshme për ndeshjen e 1/16 së finales në kuadër të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.

Ekipi tashmë që dy ditë është akomoduar në këtë qytet ukrainas, ndërsa bashkë me ta është edhe ekipi i “infOSport.mk”.

Ekipi “bardhekaltër” edhe dje kishte bërë stërvitje në palestrën “Rinia” në Zaporozhje, aty ku nesër do të zhvillojë një ndër ndeshjet më të rëndësishme në historinë 6-vjeçare. Kujtojmë Futsal Shkupi është themeluar në vitin 2014-të, ndërsa është kjo hera e tretë që prezanton vendin tonë në garën më prestigjioze europiane të Ligës së Kampionëve në futsal.

Në anën tjetër MFC Kherson është themeluar në vitin 2004-të, ndërsa njëjtë sikurse Futsal Shkupi, në sezonin 2015/2016 debuton në mesin e më të mirëve në futsalin ukrainas. Njëjtë sikurse edhe Futsal Shkupi, edhe MFC Kherson në sezonin debutues dëshmojnë se bëhet fjalë për një skuadër shumë serioze, derisa në sezonin e dytë, 2016/2017 shpallen kampion, njëjtë sikurse edhe Futsal Shkupi. Epitetin e tillë të dyja skuadrat e fituan edhe sezonin e kaluar, duke fituar të drejtën për të luajtur sërish në mesin e më të mirëve në futsalin europian.

MFC Kherson në raundin e parë eliminatorë mundi ekipin e Rosario nga Irlanda e Veriut me rezultatin 28:1, ndërkohë Futsal Shkupi me shifrat 3:0 eliminoi ekipin e Blu Mexhik FC Dublin nga Republika e Irlandës.

Falë këtyre fitoreve, të dyja skuadrat kaluan në raundin e 1/16 së finales, ndërsa goglat vendosën këto dy skuadra përballë njëra tjetrës. Te MFC Kherson përveç lojtarëve nga vendi, luajnë edhe dy brazilian dhe braziliani i naturalizuar gjeorgjian Roninjo, që njëherit pritet të jetë rreziku më i madh për ekipin e Futsal Shkupit, që në anën tjetër për këtë ndeshje është përforcuar me një ndër lojtarët më të mirë të futsalit në rajon, por edhe më gjërë, Halim Selmanaj.

Edhe pse deri në moment të fundit nuk dihej nëse i njëjti do të kishte të drejtë loje për shkak dokumentacionit, falë kryesisë me në krye Mensur Fazlija, gjithçka u rregullua, ashtu që nesër lojtari nga Kosova, që erdhi nga ekipi i Liburnit të Gjakovës do të jetë në disponim të trajnerit.

Ndeshja MFC Kherson – Futsal Shkupi starton në ora 13:00 sipas kohës sonë lokale (14:00 sipas kohës lokale në Ukrainë).

Leave a Reply