Besa e Dobërdollit vjen me 5 super përforcime

Besa e Dobërdollit stinorin vjeshtorë në Ligën e tretë – Perëndim e mbylli në pozitën e parë me 4 pikë epërsi ndaj ndjekësit më të afërt, Arsimit. E gjithë kjo ka bërë që ambiciet e klubit nga Dobërdolli të shtohen edhe më shumë, me shpresë se në fund do i’a arrijnë qëllimit që të ngjiten një kategori të garave më lartë, shkruan “infOSport.mk”.

Me një sponzor të fuqishëm pas vetes dhe një kryesi mirë të riorganizuar, skuadra e Besës nga Dobërdolli gjatë ditës së sotme ka bërë edhe prezantimin e 5 futbollistëve të rinj, që pritet të shtojnë konkurrencën, por edhe cilësitë e skuadrës për stinorin pranveror.

Kështu emra të rinj te Besa e Dobërdollit për pjesën e dytë të sezonit 2020/2021 do të jenë ish futbollisti i FC Shkupit dhe Vëllazërimit, Altin Sefo, i cili së fundmi luante me Renovën, mbrojtësi i krahut të djathtë, Halil Berisha, i cili vjen nga rradhët e Vardar Forinës, ndërsa më parë kishte luajtur edhe me dy skuadrat shkupjane, Metalurgun dhe  FC Shkupin,  mbrojtësi i krahut të majtë, Ilas Çilafi, që ka bërë karrierë te Shkëndija, Gostivari dhe së fundmi te Teteksi, qendërsulmuesi Rihan Sejrani, i cili vjen nga ekipi i të rinjëve të Renovës, si dhe kumanovari, Egzon Aziri.

Bëhet fjalë për një sulmues krahu, i cili gjatë karrierës së tij kishte luajtur me Goblenin e Kumanovës, Korabin dhe Vardarin e Forinës. Cilësitë e tij të larta të një golashënuesi të spikatur, Aziri i dëshmoi edhe gjatë stinorit vjeshtorë me Vardarin e Forinës, ndërsa i njëjti tashmë në pranverë do të tentojë që me golat e tij të ndihmojë skuadrën e Besës së Dobërdollit në arritjen e objektivit, ngjitjen ne Ligën e Dytë. (infOSport.mk)

Leave a Reply