Agim Ibraimi nuk ndalet, shënon sërish për Kukësin, ja kujt i’a dedikon golin

Agim Ibraimi po vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Kukësit në Superligën shqiptare. Kukësi i tij mposhti Tiranën ditën e djeshme me rezultatin 2:0 në “Selman Stërmasi”. Verilindorët shënuan nga një gol për çdo pjesë, për të marrë kështu një fitore shumë të rëndësishme.

Megjithatë vëmendjen e të gjithëve, e tërhoqi festa e golit të parë, të shënuar nga Agim Ibraimi. Ky i fundit doli të jetë i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, teksa e gjithë skuadra verilindore kishte një dedikim të veçantë për golin e shënuar nga ana e tetovarit, i cili ngriti lartë një fanellë, ku shkruhej: “U prehsh në paqë Pavli Vangjeli”.

Një dedikim ky për ish-futbollistin dhe njëkohësisht vëllain e Kristi Vangjelit të Tiranës, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë, për shkak të një sëmundje të rëndë.

Ndryshe për Agim Ibraimin ishte ky goli i 10-të sezonal, me ç’rast ish futbollisti i Shkëndijës  aktualisht kryeson renditjen e golashënuesve në Superligën shqiptare. Përveç Ibraimit, në fitoren e djeshme të Kukësit një gol tjetër shënoi edhe Vesel Limaj. Falë kësaj fitore, Kukësi tashmë numëron 29 pikë dhe renditet në pozitën 5-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply