Interi i Antonio Konte, 47 pikë nga 54 të mundshme, vetëm një skuadër bën më mirë se “zikaltërit”

Fundi i vitit 2020 dhe fillimi i vitit 2021 është një ndër periudhat më të arta të Interit nën drejtimin e trajnerit Antonio Konte. Kjo skuadër është shndërruar në një “makineri” perfekte, duke filluar që nga ajo fitore 4:2 kundër Torinos, më 22 nëntor.

Që nga ajo ndeshje “zikaltërit” kanë fituar 15 nga 18 ndeshjet e fundit në kampionat, duke barazuar në vetëm dy prej tyre (ndaj Romës dhe Udinese) dhe humbur vetëm një, ndaj Sampdorias.

Megjithatë ky Inter nuk është skuadra që ka grumbulluar më së shumti pikë. Në fakt, është Mançester Siti i Guardiolës, skuadra që ka mbledhur më shumë pikë në 18 ndeshjet e fundit të kampionatit: 50 pikë, si rezultat i 16 fitoreve dhe 2 barazimeve.

Larg tyre ndodhet Bajerni i Munihut, aktualisht kryesuesi i Bundesligës (40 pikë, me 12 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje), por edhe Atletiko Madridi, skuadra e parë në La Liga: 44 pikë, me 14 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje.

Për herë të katërt në epokën e tri pikëve, Interi grumbullon të paktën 59 pikë në 25 ndeshjet e para të kampionatit. Në të tria rastet e mëparshme, Interi kishte dalë kampion, edhe atë në edicionet  2006/07, 2007/08, 2008/09.

Leave a Reply