Lajm i mirë për “Tifozat Kuqezi”, Shqipëri-Angli luhet me tifoz

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar sot kërkesën drejtuar qeverisë për lejimin e 30% të tifozëve në ndeshjen e 28 marsit ndaj Anglisë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën që Federata Shqiptare e Futbollit i ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për të pasur tifozëve në stadium ndaj anglezëve, presidenti Duka u shpreh i bindur se stadiumi i plotëson kushtet dhe theksoi se shpreson që të miratohet si kërkesë, pasi është e nevojshme për t’iu rikthyer jetës normale.

Ne kemi bërë kërkesë që ndeshja me Anglinë të luhet me 30% tifozë. Këtë e kemi bërë edhe publike, nuk e kemi bërë vetëm ne si Federatë, pa dyshim që e kanë bërë edhe tifozët, grupimi i Tifozave Kuq e Zi dhe grupime të tjera. Vërtetë shëndeti është i pari, por ne kemi bindjen dhe mbi këtë bazë e kemi bërë edhe kërkesën tonë, që stadiumi ‘Air Albania’ i plotëson të gjitha kushtet për të respektuar protokollin dhe për të mos pasur rrezik apo ekspozim ndaj pandemisë. Kjo tani i mbetet qeverisë, Komitetit Teknik apo Kryeministrit që të na e miratojë apo jo. Unë uroj shumë që ta miratojnë këtë kërkesë. Ne kemi shumë nevojë që të kthehemi në jetën normale, kemi nevojë sportivisht të kemi spektatorët, por realisht një ndeshje kundër Anglisë, nuk ndodh shumë shpesh për Shqipërinë. Kështu që të mundohemi maksimalisht që ta shfrytëzojmë këtë rast për t’i kënaqur spektatorët tanë me aq sa mundemi dhe t’i bëjmë ata që të kthehen në jetën normale”, – tha presidenti Duka.

Leave a Reply