Surpriza në listën e kombëtares shqiptare, thirret për herë të parë një 17-vjeçar

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja do të publikojë të dielën listën me futbollistët që do të ketë në dispozicion për ndeshjet e para eliminatore të Botërorit 2022 kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos.

Tekniku kuqezi kërkon të presë edhe sfidat e fundjavës së lojtarëve me klubet e tyre, përpara se të zyrtarizojë listën përfundimtare.

Ndërkohë  e përditshmja shqiptare, “Balkanëeb” ka mësuar suprizën e parë të madhe në taborin e kuqezinjëve.

Ai është Mario Mitaj. Futbollisti 17-vjeçar që luan me AEK-un në kampionatin grek do të ftohet për herë të parë në kombëtaren e madhe.

Ai ka qenë pjesë e skuadrave të moshave kuqezi.

Më parë Reja ka konfirmuar Nedim Bajramin si një tjetër prurje të re. Mesfushori që luan me Empolin pret të pajiset me pasaportën shqiptare për të debutuar.

Po ashtu, disa prej futbollistëve që kanë qenë pjesë e pandarë e kombëtares shqiptare në vitet e fundit pritet të mbeten jashtë. Një prej tyre është Lorenc Trashi. Shkak për këtë janë aktivizimet e pakta me skuadrat e klubeve dhe forma fizike e tyre. Sipas programit, përfaqësuesja shqiptare do të nisë grumbullimin të dielën në Barcelonë, përpara ndeshjes së parë kundër Andorrës, që në program është me datë 25 mars.

3 ditë më vonë Shqipëria në Tiranë do të mirëpret Anglinë, ndërkohë ditën e fundit të marsit, “kuqezinjtë” e Edi Rejës do të përballen në transfertë kundër San Marinos.

Leave a Reply