Fitore e madhe ndaj Shkëndijës, vazhdon ëndërra europiane e Struga Trim Lum (VIDEO)

Struga Trim Lum ka regjistruar fitore shumë të rëndësishme ndaj kampionëve të rinj të Shkëndijës, duke vazhduar kështu ëndërrën europiane deri në mbyllje të sezonit aktual, njofton “infOSport.mk”.

Djelmoshat e Srgjan Zaharievskit zhvilluan një super ndeshje, e ku vlen të theksohet fillimi i takimit, kur edhe u vendos fati i këtij takimi.

Mevlan Murati në minutën e 3-të ishte i pakujdesshëm në zonën e tij, duke fauluar Bunjamin Shabanin, ndërsa arbitri që kishte gjithçka në kontroll dhe ishte shumë afër, pa hamendje tregoi në pikën e bardhë.

Përgjegjësinë  e ekzekutimit e morri, Marjan Altiparmakovski, i cili nuk gaboi dhe në ato momente shënoi për 1:0.

Altiparmakovski ishte protagonistë edhe në shënimin e golit të dytë, dhe lirisht mund të thuhet se një pjesë e meritave shkojnë për të. Me të djathtën e tij, nr. 9 i Struga Trim Lum lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, që u ndal në shtyllë, ndërsa topi i devijuar nga këmbët e Bosançiç përfundoi në rrjetën e “kuqezinjëve” nga Tetova.

Pas këtyre dy golave të shpejtë, Struga Trim Lum administroi me shumë qetësi ndeshjen deri në fund, pavarësisht tentativave të futbollistëve të Shkëndijës për të rikthyer rezultatin.

Trajnerin e Shkëndijës nuk e ndihmuan madje edhe tre zëvendësimet e bëra në fillimin e pjesës së dytë, kur në lojë inkuadroi futbollistë me shumë përvojë, si Igor Da Silva Vanderson, Kamer Qaka dhe Bruno Dita.

Javën që vjen ekipin e Struga Trim Lum e pret përballja me Vardarin, ndërsa finalen e fundit për të realizuar ëndërrën europiane ekipi strugan do ta ketë me 15 maj në Kratovë kundër Sileksit. Këta të fundit sot ishin shumë pranë fitores përballë Borecit, mirëpo një gol i Mishov në minutën e 80-të, bëri që Boreci të marrë një pikë shumë të vlefshme nga kjo transfertë, njëjtë sikurse dhe Makedonija GJ.P., përballë FC Shkupit.

Me këtë barazim, Makedonija GJ.P vazhdon të mbajë pozitën e tretë në renditje me 52 pikë, një më shumë se Struga Trim Lum në vendin e katërt. (infOSport.mk)

Leave a Reply