Messi udhëhoqi Barcelonën drejt fitores para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit (VIDEO)

Skuadra e Barcelonës shënoi një fitore shumë të rëndësishme si mysafir ndaj Valencias në kuadër të javës së 34-të në La Liga, duke u barazuar me pikë me Realin e Madridit në pozitën e dytë, njofton “infOSport.mk”.

Lider mbetet Atletiko Madridit, skuadër kjo që ka dy pikë më shumë se dy gjigandët spanjoll, mirëpo që të shtunën e ardhshme na pret përballja derbi Barcelona – Atletiko Madrid në “Kamp Nou”, derisa Reali i Madridit do të luaj me Seviljën, një tjetër përballje kjo që pritet të vendos për titullin kampion.

I jashtëzakonshmi, Lionel Messi zhvilloi një tjetër ndeshje të fortë, duke shënuar dy gola në fitoren 3:2. Argjentinasi fillimisht humbi penaltinë në minutën e 57-të, mirëpo që në vazhdim të aksionit të njëjtë, “pleshti” realizoi golin e tij të parë, duke barazuar në ato momente rezultatin në 1:1, pas atij goli të Gabriel Paulista në minutën e 50-të.

Nuk vonoi shumë nga goli i Lionel Messit, francezi Antuan Grizman në minutën e 63-të shënoi edhe golin e dytë për Barcelonën, duke kaluar për herë të parë skuadrën “katalunase” në epërsi, ndërsa në minutën e 69-të, Lionel Messi edhe njëherë tjetër doli në skenë, duke shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Barcelonën.

Rezultatin përfundimtarë Valencia 2, Barcelona 3, e vendosi Karlos Soler në minutën e 83-të.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona numëron 74 pikë, po aq sa edhe Reali i vendit të dytë, ndërkohë Atletiko Madridi me 76 pikë renditet në pozitën e parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply