Akrapoviç vendos për të ardhmen e Rexhept dhe Sadriut!

Ikja e Ernest Gjokës nga Shkëndija dhe zëvendësimi me boshnjakun Bruno Akrapoviç dukshëm i kanë prishur punë skuadrës së Skënderbeut. Kjo, për vetë faktin se strategu boshnjak i “kuqezinjëve” nga Tetova ka shprehur konsideratë të veçantë në seancat stërvitore për portierin, Bekim Rexhepi, gardianin që një sezon më parë bëri mrekulli në Superligën shqiptare me fanellën e Skënderbeut, te e cila skuadër luajti në formë huazimi.

Në seancat e para stërvitore, burime brenda klubit tetovar, thonë se Akrapoviç ka mbetur tepër i kënaqur me Rexhepin, duke e cilësuar atë si një lojtar të rëndësishëm në pozicionin e tij. Rexhepi kësisoj do të duhet të konkurrojë për një vend në formacionin e parë me Kostadin Zahov dhe Ferat Ramanin, i cili aktualisht luan rolin e portierit të dytë te Shkëndija.

Ndryshe qëndron situata për sa i përket pozicionit të Leard Sadriut. Mbrojtësi kosovar i Shkëndijës me shumë mundësi do të udhëtojë drejt Korçës, për të luajtur sërish në formë huazimi me fanellën e Skënderbeut, për të cilën skuadër edicionin e kaluar zhvilloi gjithsej 21 ndeshje midis Superligës dhe Kupës së Shqipërisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply