Dramë e vërtetë në Abu Dabi, Verstapen në xhiron e fundit shpallet kampion i ri në Formula 1

Maks Verstapen është kampioni i ri i Botës në Formula 1, duke i dhënë fund dominimit të  Luis Hamilton, i cili në fakt e mendoi të sigurtë titullin numër 8 në karrierë, por ja që nuk ndodhi, edhe pse britaniku ishte në udhëheqje të garës deri në xhiron e fundit në pistën e “Yas Marina” në Abu Dabi.

Gara e sotme nisi me “xixa”, pasi që në start Hamilton parakaloi Verstapen duke marrë kryesimin, ndërsa pak metra më tutje, holandezi ia del ta parakalojë britanikun, megjithatë një kontakt mes të dyve avantazhon 36-vjeçarin.

Nga ai moment, Hamilton bëhet i pakapshëm, teksa edhe pse pas ndalesës në bokse, Perez provon të bëhet faktor në favor të Verstapen, britaniku është dukshëm më i shpejtë dhe e parakalon meksikanin për të udhëhequr i qetë garën.

Deri kur në pesë xhiro para fundit, në pistë futet makina e sigurisë pas një aksidenti të Latifit. Verstappen e shfrytëzon këtë moment për të ndryshuar gomat, ndërsa Hamilton qëndron në pistë me shpresën se gara do të mbyllej nën regjimin e makinës së sigurisë. Por, ajo largohet një xhiro para fundit dhe Verstappen aq i mjaftonte për të dhënë maksimumin dhe me gomat më në formë, parakaloi britanikun. Hamilton provoi deri në fund të kundërpërgjigjej, por holandezi 24-vjeçar u mbrojt në perfeksion dhe ia doli të shpallej kampion i Botës.

Leave a Reply