Talenti 16-vjeçar nga Haraçina në prova te skuadra e njohur italiane e Serie A!

Talenti shqiptarë, Adrian Zendeli aktualisht ndodhet në prova te skuadra e njohur italiane e Xhenoas. Zendeli është një futbollist vetëm 16-vjeçar, i cili aktualisht jeton në Suedi me familjen e tij, që ka origjinë nga Maqedonia, më saktësisht nga Haraçina e Shkupit, shkruan “infOSport.mk”.

Talentin e tij të madh Adriani e ka treguar me grupmoshat e reja të skuadrës së Malmo, ku aktualisht mbron ngjyrat e ekipit U19, bashkë edhe me 3 shqiptarë të tjerë, Esim Hamza nga Resnja dhe Adrian Neziri e Elison Makolli nga Kosova.

Ai sezonin e kaluar luajti me ekipin e U17, edhe atë duke regjistruar 22 ndeshje dhe 2 gola, ndërsa falë performancës së tij të shkëlqyeshme, Adrian Zendeli këtë vit bëri një hap para, duke iu bashkuar ekipit U19, edhe atë me vetëm 16 vjet.

“Që nga mosha 6 vjeçare jam pjesë e Malmo, te e cila skuadër kam kaluar të gjitha grupmoshat. Aktualisht luaj me ekipin U19, ku kam bërë edhe 4 ndeshje” – u shpreh fillimisht Adrian Zendeli, i cili për “infOSport.mk” foli drejtëpërdrejtë nga Xhenoa, aty ku ndodhet në prova te kjo skuadër e njohur italiane.

“Po, e vërtetë është se jam në prova te Xhenoa. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë kontaktuar menaxherin tim që 8 muaj më herët, mirëpo shkaku i Covid19 nuk ndodhi që të vija atëherë. Mirëpo ja që tani jam këtu dhe po stërvitem me këtë skuadër. Këtu te Xhenoa jam që nga e dielja. Do qëndrojë deri të premten dhe më pas do rikthehem në Suedi” – tha Adrian Zendeli, i cili në pyetjen tonë nëse do pranonte një ofertë nga skuadra e njohur italiane, tha: “Sinqerisht të them të drejtën ka fjalë të mira, këto nga Xhenoa janë të interesuar për të më mbajtur dhe për të nënshkruar me mua. Mirëpo fillimisht të kryej këto prova dhe pasi të kthehem në Suedi do bisedoj me prindërit e mi, menaxherin tim dhe më pas do të vendosim, pasi ka interesim edhe nga disa klube të tjera europiane. Gjithashtu jam me kontratë edhe me Malmo, ashtu që duhet të marrë leje për transferim edhe nga klubi im amë” – deklaroi Adrian Zendeli.

Ndryshe Adriani rrjedhë nga një familje sportive, pasi edhe babai i tij, Burhani dhe xhaxhai Llukman Zendeli kanë luajtur futboll shumë vite më parë.

“Po e vërtetë është se rrjedhi nga një familje sportive, pasi me futboll më herët janë marrë edhe babai im Burhani, pastaj xhaxhai Llukmani, i cili ka qenë një talent shumë i madh viteve të 80-ta në ish Jugosllavi. Një gjë të tillë e thonë familjarët e mi, sidomos kur vijmë për pushime në vendlindjen tonë në Haraçinë, pasi gjithnjë flasim për futboll. Gjithashtu me futboll janë marrë edhe kushërinjtë e mi dhe axhallarët e babit, kështu që mund të them se e kemi trashigimi këtë sport” – tha Adrian Zendeli, ëndërra e të cilit është që një ditë të veshë fanellën e Barcelonës dhe të luaj në Ligën e Kampionëve.

Ëndërr kjo shumë e bukur, të cilën shpresojmë që Adriani ta realizojë me punë dhe me ndihmën e Zotit dhe pse jo një ditë këtë talent nga Haraçina e Shkupit ta shohim duke lozur në nivelet më të larta të futbollit europian dhe atij Botëror.

Kujtojmë Adrian Zendeli është gjithashtu edhe pjesë e përfaqësueses U17 të Maqedonisë, për të cilën ka zhvilluar 3 paraqitje.

 

Leave a Reply