Milani në shtesa eliminon Xhenoan e Shevçenkos dhe kualilfikohet në çerekfinale (VIDEO)

Milani jo edhe aq lehtë sa pritej ka eliminuar Xhenoan e Andrij Shevçenkos në 1/8 e finales së Kupës së Italisë, njofton “infOSport.mk”. 3:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në “San Siro”, mirëpo vetëm pas 120 minutave lojë, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 1:1.

Pjesa e parë madje foli për miqtë e Xhenoas që në pushim shkuan me avantazhin 1:0 falë golit të shënuar nga Ostigard që në minutën e 17-të.

Milani u rikthye në lojë në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 74-të kur Olivie Zhiru me kokë shënoi një super gol për barazim të rezultatit në 1:1.

Me këtë rezultat u mbyllën 90-të minutat e rregullta, ndërsa në kohën shtesë prej dy herë nga 15 minuta, Milani dominoi në tërësi, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.

Golin më të bukur të takimit pa dyshim se e realizoi Rafael Leao, i cili në minutën e 102-të, edhe pse nga një pozitë shumë e vështirë, arriti që të parabolojë portierin kundërshtarë për rezultat 2:1, ndërkohë një depërtim i Teo Hernandez dhe super asisti i francezit në minutën e 112-të i mundësoi belgut Saelemaekers të shënojë edhe golin e tretë për Milanin dhe të fundit të këtij takimi. Milani në çerekfinale do të mirëpret fituesin nga dueli, Udineze-Lacio.

Në ndeshjen që u zhvillua më herët Fiorentina si mysafir mundi Napolin me shifrat 5:2, me Fiorentinën që shkëlqeu në kohën shtesë prej 30 minutash. Edhe kjo ndeshje gjatë 90-të minutave lojë u mbyll me barazim (2:2), derisa skuadra nga Firenca shkëlqeu në shtesat, kur shënoi plotë 3 gola.

Vlen të përmendet se përveç 7 golave të shënuar në këtë përballje, u treguan edhe 3 kartonë të kuq, dy për “napolitanët” dhe një për “vjollcët”. (infOSport.mk)

Leave a Reply