Nga transferimi i Uzunit te Granada përfitojnë edhe dy klubet e Shqipërisë

Vjen hapi i madh i rëndësishëm në kar rierën e Myrto Uzunit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është një hap larg firmës në një nga kampionatet më të rëndësishme të Europës, La Liga, pasi ka marrë një ofertë të parefuzueshme nga një nga klubet e elitës atje, Granada.

Lojtari ka shkëlqyer me Ferencvaroshin, duke qenë në një vit e gjysmë atje lideri i repartit të avancuar, duke bindur me lojë dhe me gola të rëndësishëm të shënuar në kampionat dhe në Europë, ku provoi fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve e së fundmi edhe të Ligës së Europës.

Paraqitje të cilat kanë tërhequr vëmendjen e klubit të Granadas në Spanjë dhe sipas mediave hungareze, por edhe spanjolle konfirmohet se ai do të jetë destinacioni i tij i radhës.

Sulmuesi mungoi në ndeshjen e djeshme të Ferencvaroshit ndaj Ujpeshtit, pasi u konfirmua se ka udhëtuar drejt Spanjës për të firmosur me klubin e ri.

Uzuni do të kryejë vizitat mjekësore dhe firmosë për 4 vite me klubin spanjoll përpara mbylljes së merkatos së janarit, e cila në Spanjë ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve Europiane mbyllet gjatë ditës së sotme, fiks në ora 00:00.

KLUBET SHQIPTARE – Nga ky transferim përfitojnë edhe klubet shqiptare, Apolonia dhe Laçi, ekipet që e kanë pasur futbollistin pjesë të tyre deri në moshën 23 vjeç.

Ato do të arkëtojnë 3% të vlerës së transferimit të kartonit, që i bie diku te rreth 90 mijë euro secila, ndërsa në arkat e Ferencvaroshit spanjollët e Granadës pritet të derdhin një shifër mes 3 deri në 3.5 milionë euro.

Uzuni ka spikatur me Ferencvaroshin ku shënoi 36 gola dhe dha 14 asiste në 67 ndeshje. Ndërsa klubi ku po shkon, Granada, renditet në vend të 14-të në La Liga këtë sezon.

Pas 22 javësh ata kanë grumbulluar 24 pikë dhe duhet të vazhdojnë ende të punojnë për të siguruar mbi jetesën, duke qenë se janë vetëm +6 pikë nga Kadizi i vendit të 18-të, shkallës së fundit që të zbret në Segunda. (Panorama Sport)

Leave a Reply