Ramiz Sadiku eliminon KEK-un, për këta të fundit shënon talenti shkupjan Merdian Ramadani

Ramiz Sadiku është skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Kupës së Kosovës në futboll.

Skuadra nga kryeqendra kosovare ka shënuar fitore 2:1 kundër KEK-ut në çerekfinale të Kupës së Kosovës, duke iu bashkuar në këtë mënyrë skuadrave nga elita, Prishtinës, Dritës dhe Llapit.

Guri Hana shënoi golin e parë për Ramiz Sadikun që në minutën e 3-të, gol ky që doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para.

Po në minutën e tretë, këtë herë të pjesës së dytë (48’), Ramiz Sadiku me anë të Armend Misinit shënoi edhe golin e dytë, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e skuadrës prishtinase, pasi KEK-u gjithçka që mundi të bëjë ishte goli i nderit i shënuar me anë të shkupjanit, Merdian Ramadani.

Bëhet fjalë për një futbollistë të gjeneratës 2002, i cili vitin e kaluar ishte shumë pranë transferimit te skuadra turke e Ankaraguxhu, mirëpo bisedimet dështuan fare në fund.

Tashmë ai te KEK-u po fiton përvojën e duhur, ndërsa me kualitetin që posedon, i njëjti shumë shpejtë pritet që të jetë pjesë e ndonjë klubi më të madh nga rajoni, apo edhe më larg. (infOSport.mk)

Leave a Reply