Bajrami: Trofeun i’a dedikoj familjes dhe tifozëve, ndjenjë e mirë për ta fituar kupën si trajner

Makedonija GJ.P me Muharem Bajramin pas plotë 16 viteve rikthyen trofeun e Kupës në Gjorçe Petrov, duke bërë krenar gjithë tifozët e kësaj lagje të Shkupit, që sonte në arenën “Todor Proeski” ishin më të zëshëm dhe në numër më shumë se ata të Sileksit, shkruan “infOSport.mk”.

Ky trofe ishte i pari për Muharem Bajramin si trajner, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes i njëjti pranoi se ndjenja ishte më e mirë si trajner se sa si lojtar, kur kishte triumfuar me Renovën, por edhe me Slloga Jugomagnatin, aktualisht FC Shkupin.

“Të jem i sinqertë ndjenja është shumë më e mirë për ta fituar këtë trofe si trajner, se sa si lojtar. Bëmë një sezon të shkëlqyeshëm dhe besoj se e merituam” – u shpreh Bajrami, i cili tha se këtë trofe i’a dedikon familjes dhe tifozëve të Makedonija Gj.P.

“Fitoren ua dedikojmë familjeve tona, pasi ata çdoherë janë me ne, në të mirë dhe në të keqe. Gjithashtu këtë trofe ua dedikojmë edhe drejtuesve dhe tifozëve të skuadrës sonë, të cilët gjithashtu kontribuan për rikthimin e këtij trofeu në Gjorçe Petrov pas plotë 16 viteve” – tha Muharem Bajrami, i cili në këtë mënyrë me Makedonija GJ.P këtë verë do të prezantojë vendin tonë në garat e Ligës së Konferencës.

Leave a Reply