Ensar Luma ndahet me Borecin, opsion elita vendore dhe Kosova!?

Sulmuesi anësor nga Tetova ka dalë futbollist i lirë në treg. 21 vjeçari ka mbyllur bashkëpunimin me Borecin e Velesit, me të cilët u paraqit në elitën e futbollit vendor. Ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës në 27 ndeshje të zhvilluara me Borecin, prej të cilave 23 si titullar, sulmuesi i krahut ka realizuar 4 gola dhe në aspekt individual len prapa një sezon të kompletuar dhe pozitiv. Tashmë kur kontrata një vjeçare me Borecin i ka skaduar, Luma si lojtarë i lirë po shqyrton ofertat për të vendosur për destinacionin e rradhës ku do të vazhdojë karrierën dhe momentalisht ka hyrë në bisedime me klube nga vendi dhe Kosova.

“Vlerësoj se te Boreci kam kaluar një vit të mirë dhe individualisht mendoj se ka ka vlejtur shumë. Kisha hapsira për lojë, më është besuar roli i titullarit dhe pata mundësinë të kompletoj një sezon të tërë në elitën e futbollit vendor. Fatkeqësisht si ekip nuk morëm rezultatet e dëshiruara. Me fundin e sezonës kontrata ime skadoi dhe tash pres të vendosi për të ardhmen. Ka disa kontakte me klube nga Maqedonia dhe Kosova, por akoma gjithçka është në fazë bisedimesh”, shprehet Ensar Luma.

Tetovari i cili i luan të tre pozitat e sulmit, në dy krahët dhe si sulmues qendre, më së miri gjendet në krahun e majtë dhe shquhet për depërtimet dhe asistet për bashkëlojtarët. Është rritur në shkollën e futbollit Shkëndija e Tetovës, ndërsa në moshë shumë të re u kyç në ekipin e parë, ku përveç minutazhit të vogël ka shënuar dy gola dhe llogaritet kampion i trefishtë shtetëror (2017/2018, 2018/2019 dhe 2020/2021), ndërsa në vitin 2018 ishte fitues edhe i Kupës së Maqedonisë. Përveç Shkëndijës dhe Borecit, Ensar Luma ka luajtur edhe si futbollist i huazuar të Gostivari dhe Drita e Bogovinjes, ndërsa ishte pjesë edhe e ekipeve përfaqësuese të Maqedonisë deri në U21.

Leave a Reply