Besart Ibraimi flet në prag të ndeshjes me Pobedën

Besart Ibraimi pa dyshim se është një ndër përforcimet më të mëdha të Struga Trim Lum në sezonin e ri futbollistik, i cili nis sot pikërisht me ndeshjen e skuadrës strugane, që para tifozëve të saj do të mirëpret skuadrën e Pobedës nga Prilepi, njofton “infOSport.mk”.

Ibraimi pas aventurës që pati në Greqi te Ksanti, vendosi të rikthehet sërish në futbollin vendor, duke pranuar ofertën e drejtuesve të Struga Trim Lum, një skuadër kjo mjaft simpatike, që pritet të shpërthejë gjatë këtij edicioni.

Ibraimi në një deklaratë për faqen zyrtare të klubit strugan në “facebook” kishte folur për ndeshjen me Pobedën, ndaj së cilës skuadër Struga Trim Lum kishte shënuar fitore 2:0 në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në fazën përgatitore.

“Është ndeshje e parë dhe si çdo herë ndeshjet e para janë shumë të vështira, mirëpo mendoj se me angazhimin e gjithë futbollistëve mund të arrijmë deri tek 3 pikëshi” – u shpreh Besart Ibraimi, i cili në pyetjen nëse premton gol që në debutim me fanellën e Struga Trim Lum, u përgjigjë: “Çdoherë sulmuesit nuk mund të shënojnë, por e rëndësishme është që të sigurojmë 3 pikët pa marrë parasysh se kush shënon”.

Ibraimi ishte një ndër golashënuesit më të mirë të Struga Trim Lum gjatë ndeshjeve kontrolluese, duke realizuar 4 gola në po aq ndeshje, njëjtë sikurse  edhe Fatjon Jusufi, një tjetër emër me peshë që erdhi gjatë kësaj merkatoje te skuadra strugane. (infOSport.mk)

Leave a Reply