“Manita” e FC Shkupit ndaj Rabotniçkit (VIDEO)

FC Shkupi rikthehet fuqishëm pas një riorganizimi të vogël që ndodhi te kjo skuadër ditëve që lamë pas. Rikthimi në bankinë i Goce Sedlloskit, tashmë bashkë me ndihmësin e tij, Arben Nuhiu, i bëri mirë FC Shkupit, skuadër kjo që sot me “manita” përcolli nga Çairi fqinjët e Rabotniçkit, shkruan “infOSport.mk”.

Një rezultat i këtillë (5:0) përveç që kënaqi stafin teknik dhe drejtuesit, kënaqi edhe tifo grupin “Shvercerat”, që u rikthyen në tribunë për të përkrahur skuadrën e tyre të zemrës, që shpresojnë që në vazhdim të kampionatit ti gëzojë ata vetëm me fitore.

Ndryshe fitoren e sotme ndaj “romantikëve” e paralajmëroi gjeorgjiani Gagi Margviashvili, i cili përfitoi nga një harkim në zonën kundërshtare dhe me kokë që në minutën e katërt mposhti portierin Aleksovski.

Rrugën më të lehtë drejt fitores FC Shkupit ndoshta i’a mundësoi edhe kartoni i kuq i ish kapitenit të “bardhebluve” nga Çairi, Fatih Ismaili, i cili në minutën e 9-të me plotë të drejtë u ndëshkua me kartonë të kuq nga ana e arbitrit kryesor, pasi si futbollistë i fundit në mbrojtje ndali kostarikanin, Alvarez.

Pas përjashtimit të Ismailit dhe mos reagimit të trajnerit Markovski, FC Shkupi në mënyrën më të mirë shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë, ashtu që deri në mbyllje të pjesës së parë shënoi edhe 3 herë të tjera në rrjetën e Aleksovskit.

Një devijim i topit pas goditjes së Alvarez në minutën e 28-të përfundoi në këmbët e sulmuesit Renaldo Cefas, i cili pasi në mënyrë mjeshtërore u lirua nga kundërshtari i tij, arriti të shënojë edhe golin e dytë për FC Shkupin.

10 minuta më vonë Aleksovski në pamundësi për të kapur topin me duar, pas goditjes nga distanca të Trapanovskit, i mundësoi sulmuesit Pepi Georgiev që të shënojë edhe golin e tretë, ndërsa 5 minuta para fundit të pjesës së parë, në listën e golashënuesve te FC Shkupi u regjistrua edhe Inacio Kueven, i cili shfrytëzoi pasimin e Trapanovskit.

Edhe në pjesën e dytë, FC Shkupi ishte dukshëm skuadër më e mirë duke krijuar raste shumë të mira për gol, mirëpo në shumicën e rasteve, Cefas nuk ishte i vëmendshëm para portës kundërshtare.

Në mungesë të realizimit nga ana e xhamajkanit, realizimi nuk i mungoi kostarikanit, Fredy Alvarez, i cili në minutën e 78-të bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, duke arritur që ta mposhtë Aleksovskin edhe për herë të 5-të në këtë takim.

Ishte kjo vetëm fitorja e 3-të për kampionët në fuqi të vendit, që pas 7 xhirove të para renditen në pozitën e katërt me 10 pikë, 11 më pak se skuadra kryesuese e Struga Trim Lum, që në anën tjetër ka edhe një ndeshje më shumë të zhvilluar. (infOSport.mk)

Leave a Reply