MPJ dënoi fyerjet dhe fërshëllimat gjatë intonimit të himnit të Bullgarisë

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka reaguar në lidhje me atmosferën e krijuar në ndeshjen e mbrëmshme në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Nga MPJ e dënojnë gjuhën e urrejtjes, duke thënë se “keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës paraqesin kundërthënie thelbësore te idesë së tyre bazë”.

“Ministria e Punëve të Jashtme reagon publikisht dhe e dënon shprehjen e djeshme të gjuhës së urrejtjes, që ka mundur të vërehej gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ngjarjet sportive paraqesin shprehjen më të lartë të parimeve të fer raporteve, respektit të ndërsjellë dhe ndeshjes në frymën sportive. Keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës paraqesin kundërthënie thelbësore të idesë së tyre bazë”.

“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria edhe në të të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive në avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, si vende aleate në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha, fqinjë të mirë”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ndryshe, Maqedonia pësoi disfatë 1:0 nga Bullgaria, duke e mbyllur këtë cikël garues në kuadër të Ligës së Kombeve në pozitën e tretë në grupin 4 të Ligës “C”.

Leave a Reply