Shkëndija e Qato-s është ndryshe, edhe me dy futbollistë më pak mund Rabotniçkin (VIDEO)

Edhe një performancë tjetër e shkëlqyer e Shkëndijës së Qatip Osmanit, që nga Shkupi për në Tetovë u rikthye me tre pikë të plota, duke mundur Rabotniçkin me rezultatin 4:2, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja e zhvilluar në arenën “Todor Proeski” prodhoi gjithçka, gola, përmbysje, raste shënimi, si dhe dy kartonë të kuq, që të dy për mysafirët nga Tetova.

Megjithatë edhe disavantazhi numerik në fushën e blertë, por edhe ai rezultativ, nuk mundi të ndalë dëshirën e madhe të “kuqezinjëve” për të fituar.

Rabotniçki avansoi shumë herët në këtë ndeshje, pasi Maksimov në minutën e 7-të mjaft mirë shmangu pozicionin jashtëloje dhe pasi doli i vetëm para Zahovit realizoi saktë për epërsi 1:0 të Rabotniçkit.

Ky gol i shënuar nga ana e vendasve nuk ndikoi shumë negativisht tek futbollistët e Shkëndijës, të cilët në minutën e 20-të u kanosën përmes brazilianit Vagner Gonçalves.

Ky rast ishte paralajmërim i barazimit që do të vinte në minutën e 23-të kur Reshat Ramadani u tregua insistues në një sulm nga e djathta, para se Hasani të asistojë drejt Shalës, ndërsa ky i fundit me një super goditje shënon gol të bukur për rezultat, 1:1.

Barazimi u dha krahë kuqezinjëve që vazhduan me sulme në kërkim të golit të dytë. Hasani e Shala sollën aksion të bukur pak më vonë, por goditja e Florent Ramadanit ishte qendrore në duart e Aleksovskit. Në anën tjetër Rusheviq doli i vetëm para Zahovit, mirëpo fatmirësisht godet skaj portës. Në vazhdim Shkëndija humbi të tjera mundësi me Vagnerin, Shalën dhe Bejtullain, ndërsa vendasit kishin një tentim me Alimin, që nuk gjeti kuadratin.

Pasqyra e pjesës së parë ishte garanci për lojë efikase në të dytën, posaçërisht pasi trajneri Osmani përforcoi sulmin me Stojanovskin dhe Bilallin që hyri në vend të Florent Ramadanit. Efekti erdhi shpejt, pasi në minutën e 49-të Hasani e Shala zhvilluan aksion të bukur nga e majta, ndërsa në zonë Stojanovski lëviz bukur dhe në rrotullim realizon për 1:2.

Rabotniçki u pa i dorëzuar nga përmbysja e kuqezinjëve, mirëpo rastet e humbura të futbollistëve nga Tetova, i dhanë mundësinë ekipit vendas për të barazuar shifrat në minutën e 66-të përmes Janakievskit, i cili përfitoi nga një top i devijuar nga shtylla, pas goditjes së kapitenit Velkovksi nga  gjuajtja e lirë.

Pas këtij goli, gjërat shkuan edhe më keq për “kuqezinjtë”, pasi në minutën e 68-të arbitri kryesor nga Shtipi, Stojançe Stojanov, ndëshkoi edhe me kartonin e dytë të verdhë kapitenin Ferhan Hasani, pasi i njëjti brenda pak minutave për herë të dytë simuloi në zonën kundërshtare, në kërkim të një penaltie.

Mirëpo edhe përkundër përjashtimit të lojtarit kryesor, futbollistët e Qatip Osmanit treguan karakter dhe shumë dëshirë për të fituar, me ç’rast në minutën e 73-të, pas një aksioni të bukur dhe asistit me kohë të Adenis Shalës, Bashkim Velija shënoi për 2:3.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm 5 minuta pas golit të Velijës, mbrojtësi i krahut të djathtë, Mevlan Murati në tentativë për të ndalur një aksion të vendasve,  ndali në mënyrë të palejuar autorin e golit të parë, Maksimov, me ç’rast arbitri kryesor Stojanov i tregoi drejtëpërdrejtë kartonin e kuq.

Me dy futbollistë më pak në fushë, 13 minuta nga fundi u duk sfidë super e vështirë për Shkëndijën, por skuadra tregoi super karakter dhe në minutën e 85-të, Stojanovski duke përfituar nga një top i devijuar para portës kundërshtare, me kokë shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Shkëndijën. Njëherit për sulmuesin 25-vjeçar ishin këto golat e parë në kampionat, aty ku Shkëndija pas 11 xhirove të kaluara renditet në pozitën e dytë me 19 pikë, 6 më pak se Struga Trim Lum e vendit të parë, skuadër kjo që nesër do të përballet  me FC Shkupin. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply