Futsal Shkupi gati edhe për arenën ndërkombëtare, flasin trajneri Agushi dhe kapiteni Fazliu

Futsal Shkupi nga nesër do ti nis garat në kuadër të “Main Round” të Ligës së Kampionëve në futbollin e vogël në palestër. Kundërshtari i parë i skuadrës nga Çairi do të jetë skuadra e Diferdanxh nga Luksemburgu. Trajneri Ferid Agushi pret përkrahjen e publikut për këtë ndeshje, por gjithsesi edhe dy ndeshjet tjera të grupit, kundër sllovakëve të Luçenec dhe çekëve të Krudim.

“Pritshmirët e ekipit tonë janë në nivel. Jemi përgatitur maksimalisht për këto tri sfida. Për momentin kemi disa lojtarë të lënduar, por megjithatë atmosfera në ekip është shumë e mirë. Për këto tre ndeshje presim që me ndihmën e publikut të marrim fitore në të tri sfidat”, tha trajneri Ferid Agushi.

Ndërkohë kapiteni Arsim Fazliu tha se skuadra është përgatitur maksimalisht për këto 3 ndeshje të Ligës së Kampionëve, edhe pse realisht nuk kanë shumë njohuri për skuadrat kundërshtare.

“Qëllimi jonë është si në çdo ndeshje të marrim fitore dhe të dalim me sukses. Jemi përgatitur maksimalisht si në aspektin taktik si fizik. Përballë i kemi disa ekipe që nuk kemi luajtur asnjëherë më parë me ato, por besoj se do tia dalim edhe pse janë skuadra me më shumë përvojë”, tha kapiteni i Futsal Shkupit, Arsim Fazliu.

Ndeshjet do të luhen me 26, 27 dhe 29 tetor në palestrën “Jane Sandanski” në Shkup, dhe që të trija ndeshjet janë programuar në termin të njejtë, duke nisur nga ora 20:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply